Ish-kryeministri shqiptar, Sali Berisha, gjatë një deklarate për gazetarët ka bërë me dije se do të informojë ShBA-në për ndërhyrjet në politikën e brendshme të ambasadores Yuri Kim.
Ky reagim i Berishës vjen pasi një ditë më parë akuzoi ambasadoren amerikane se po ndërhyn në vendimmarrjen e gjykatave për çështjen e brendshme të PD.
Berisha u shpreh se, kjo ndërhyrje është qëndrim personal i ambasadores dhe jo një orientim i vetë SHBA.
“Nuk besoj kurrë se ky është një orientim, një parim i vendit të saj të Lirisë. Ky është një akt individual për të cilin ne në mënyrë absolute do të informojmë me hollësi autoritetet e SHBA-së”, deklaroi ish-kryeministri.
Berisha komentoi edhe vendimin e dhënë dje nga gjykatësja Blerina Muça që njohur ankimimin e bërë nga Enkelejd Alibeaj.
“Një gjykatëse vendosi dje të shkruaj ligjin e shtetit, në një akt që tejkalon çdo imagjinatë, në një presion të tmerrshëm, ndaj të cilit një njeri që ka minimumin e karakterin nuk i lejon vetes akte të tilla. Është po kjo gjykatëse nuk ka pranuar ankesën tonë”, tha ai.
Berisha bëri këtë deklaratë këtë të shtunë pas votimit për zgjedhjen e kreut të PD në degën numër 2 në Tiranë.