Kryetari i Partisë Demokratike zgjedhur nga procesi i Rithemelimit, Sali Berisha në bashkëbisedimin e përjavshëm me gazetarët, ka akuzuar ambasadoren amerikane si të përfshirë në nja akt madhor korruptiv, pasi sipas tij, Yuri Kim mashtron qeverinë për korrupsionin imagjinar të kryedemokratit. Berisha u shpreh se ambasadorja Kim po shkelmon Kushtetutën dhe për këtë do mbajë përgjegjësi.
“Marrëdhëniet e mia me guvernatoren janë të tjera. E kam denoncuar në çdo rast që ka shkelmuar Kushtetutën, në çdo rast që ajo ka shkelmuar Konventën e Vjenës, nuk e kam akuzuar se është e implikuar në mashtrimin e qeverisë, e kam zbuluar më vonë. Ka përgjegjësi. Ka kryer veprime të padenja në manipulimin e historisë së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Beteja e tyre me Ramën është e varur nga dosjet reciproke të njëri-tjetrit. Ajo ka dosjet e Ramës dhe ministrave në tavolinë, por dhe Rama nuk është duarbosh. Marrëdhëniet e mia me guvernatoren janë krejtësisht të tjera, ato që janë shprehur dhe nuk u heq asnjë presje. Mund të shtoj”, tha Berisha.
Kryedemokrati nuk la pas as akuzat ndaj Partisë Socialiste e cila sipas tij, funksionon si një shpellë mafioze, ku vendimet merren nga bandat dhe qeset me para me firmën e Kryeministrit Rama.
“PS është sot forca politike më e diskredituar e Europës, funksionon si një shpellë mafioze, ku vendimet merren nga qeset me para, me firmën e Edi Ramës. Të flasësh sot për PS, një forcë politike ku vota nuk ekziston, është paligjshme. Të flasësh për një grup mafioz të kryesuar nga Rama, është realiteti.
Si mund të votojnë shqiptarët kukullat e Edi Ramës apo organizatave kriminale, nuk mund ta imagjinoj., ai e llogarit në vjedhjen e votës, por kjo vjedhje do ketë një përgjigje”, shtoi Berisha, i cili garantoi se Partia Demokratike do të qëndrojë e pamposhtur në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“PD nuk po bën gjë tjetër veçse po qëndron e pamposhtur ndaj cilitdo, korrupsionit ndërkombëtar që përdoret si mburojë për korrupsionin shqiptarë i ndërvarur nga korrupsioni shqiptar. PD po lufton korrupsionin në Shqipëri, të bëjë transparencë dhe ne do bëjmë transparencë të plotë se cila është shkalla e korruspionit e atyre që kanë mashtruar qeveritë e tyre. Ne jemi të hapur, po zbatojmë këtu normat dhe standartet më të avancuara të lirisë. S’pranojmë kurrë të caktojë kush kryetarin e opozitës, nuk ka akt më ofendues se një përpjekje e tillë. Duhet të jemi të hapur, nuk mohoj se ekzistojnë problemet, por nuk zgjidhen me manipulime, por vetëm nën dritën e së vërtetës”, tha Berisha.