Të hënën do të ketë një ndeshje interesante në Kategorinë Superiore, pasi Bylisi do të provojë për herë të parë stadiumin e ri të Partizanit në një ndeshje në kampionat.
Ndërkohë, në prag të sfidës me Partizanin, Bylisi nën drejtimin e trajnerit Arian Bellai dhe ndihmësit të tij Kostantinos Mihailidhis, janë duke vijuar përgatitjet në kompleksin “Bylisi”. Madje mallakastriotët i kanë përqendruar stërvitjet në prag të sfidës me të kuqtë në kompleks duke qenë se është fusha me bar artificial, njësoj si edhe në kompleksin e kuq, ku do të luhet sfida e radhës në kampionat të dielën në mesditë. Kështu, ballshiotët do të kenë mundësinë të përshtaten me këtë lloj terreni, për ta pasur më të lehtë gjatë ndeshjes.
Sfida me të kuqtë e gjen Bylisin në një situatë aspak komode për shkak të mungesave të shumta që do të kenë në këtë duel transferte.
Referuar asaj që shkruan “Panorama Sport”, plot pesë lojtarë, katër prej tyre titullarë, nuk do të jenë të gatshëm për trajnerin Bellai për arsye të ndryshme. Mbrojtësi i djathtë, Aleksandër Trumçi, dhe qendërmbrojtësi Stivian Janku janë të pezulluar për shkak kartonësh. Nga ana tjetër, Xhonatan Lajthia, Xhoel Maçolli dhe Lorran e kanë humbur takimin me Partizanin dhe klubi nuk do që të rrezikojë më shumë me tre nga titullarët, që kanë shfaqur shqetësime fizike gjatë javës.
Të tre këta lojtarë kanë punuar të veçuar gjatë javës, nën mbikëqyrjen e fizioterapistëve të klubit. Duke u nisur nga mungesat e shumta, trajneri Bellai do t’u japë shansin e debutimit disa prej të rinjve, që po bëjnë mirë në ekipin e dytë. Gjatë verës ata kanë afruar nëntë nigerianë të moshave 17-21 vjeç dhe klubi do të kërkojë që t’i afirmojë ata edhe në Superiore, duke qenë se janë ambientuar edhe me klimën në vendin tonë si dhe kanë marrë minuta edhe në kampionatin U-21.