Kompania e propozuar nga lideri i opozitës, Hristijan Mickoski ka ofruar gaz natyror që vjen nga Gazprom rus, por ministri i Ekonomisë Bekteshi nuk ka treguar se për cilën kompani bëhet fjalë.
Ai tha se është një kompani e regjistruar në Zvicër dhe tashmë kanë mbajtur një takim, por nëse oferta do të jetë e pranueshme për Maqedoninë do të dihet pasi kompania të japë garanci bankare për dërgesë, si dhe me çfarë çmimi do të na e shesin gazi.
Qeveria po bën gjithçka që mundet që të sigurojë furnizim të vazhdueshëm me gaz natyror me çmime më të ulëta, thotë Bekteshi dhe shton se edhe me rekomandimin e Mickoskit pritet oferta për naftë.
“Unë isha në Beograd. U takova me përfaqësues të kompanisë e cila është e regjistruar në Zvicër. Bëhet fjalë për sipërmarrës nga Serbia, Bosna dhe Sllovenia, bëhet fjalë për gazin natyror që vjen nga Federata Ruse, ose direkt nga “Gazprom”, tha Kreshnik Bekteshi – Ministër i Ekonomisë.
Në të njëjtën kohë, ministri thotë se javën e ardhshme do të lirohen kapacitete shtesë në interkonektorin me Bullgarinë dhe kjo do të thotë se do të furnizohemi me gaz natyror edhe nga burime të tjera.
“Përmes bisedave që kryeministri ka pasur me zotin Radev, deri të premten do të lëshojmë kapacitete shtesë në pjesën e interkonjektorit me Republikën e Bullgarisë për furnizim me gaz natyror. Tani mund ta imagjinoni se cilat do të ishin ato burime të tjera”, deklaroi Kreshnik Bekteshi – Ministër i Ekonomisë.
Ndërkaq, Qeveria garanton se do të ketë ngrohje termike për shkupjanët me kohë, pasi është siguruar gaz për ngrohje për funksionim të qetë nga fillimi i sezonit të ngrohjes më 15 tetor deri në fund të muajit.
Për më tepër, nëse çmimi i gazit rritet jashtëzakonisht, Kovaçevski siguron se vendi është i gatshëm me një lëndë djegëse alternative.