BEG do të dërgojë faturat e reja për ngrohjen, tha ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, pasi qytetarët pak më herët morën faturat e muajit gusht, të cilat u rritën për 40%, në vend të 15%.
BEG u arsyetua se kjo ka ndodhur pasi që nga fundi i muajit prill nuk ka pasur asnjë vendim për subvencionet e qeverisë dhe nuk janë paguar as paratë e muajve të kaluar. Bekteshi siguron se subvencionet mbeten, dhe BEG do të paguhet pasi të pastrojnë llogaritë me EMV-në.
“Me energji termike edhe pse është BEG, ne kemi hyrë për menaxhim përmes EMV-së. Ata si BEG kanë detyrime ndaj EMV-së dhe është paraparë me llogarinë përfundimtare për këtë vit që të ketë shlyerje për vitin e ardhshëm. BEG i ka borxh EMV-së dhe kur të shlyhet do t’i marrë këto subvencione”, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.
Por qytetarët mbetën ende të hutuar. A duhet të paguajnë faturat apo të presin për të reja? Dje edhe nga KRRE kanë kërkuar nga BEG-u t’i anulojë faturat, ndërsa ata qytetarë që tashmë e kanë paguar faturën duhet t’u kalojnë paratë në muajt në vijim./