Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi ka deklaruar se dërgesa e gazit natyror nuk është ndërprerë, pas lajmeve se “Gazprom” e ka ndërprerë dërgesën e gazit për Poloninë dhe Bullgarinë.
Ai tha se të gjitha obligimet nga ana jonë janë përmbushur dhe se sot ka import të gazit natyror në vend.
“Megjithatë, situata është komplekse dhe nuk dihet çfarë vendimi mund të merret ditëve në vijim. Shteti ka alternativa përkatëse. Njëherësh informojmë se është në rrjedhë një projekt për interkonektim të gazit me Greqinë që mund të bëhet operativ në fund të vitit 2024 me të cilin pritet të krijohen kushte për diversifikim në furnizimin me gaz natyror. Në përgjithësi hisja e importit të derivateve të naftës me prejardhje nga Rusia është përafërsisht 8%, e me këtë edhe hisja e furnizimit me derivate të naftës në tregun e derivateve të naftës që është i liberalizuar tërësisht”, tha Bekteshi.
Sipas Bekteshit, Bullgaria nuk duhet të bëjë ndërprerje të gazit dhe rrjeti i transmetimit duhet të funksionojë.
Ministri paralajmëroi se javën e ardhshme në Sofje do të mbahet takim të të gjithë ministrave të rajonit që të prezantohen nevojat e shtetit dhe të ketë furnizim të vazhdueshëm me energjensa.