Ish ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, në rrjetin social facebook, ka shpalosur dokumentin me të cilin vërtetohet se Ministria e Shëndetësisë me në krye Fatmir Mexhitin, megjithatë ka bërë pagesë ndaj BRAKO-s, edhe pse, ministri aktual Mexhiti, e ka mohuar një gjë të tillë ditë më parë.
“A është rastësi që e mohoni publikisht se paguani dikë, ndërsa pas dyerve të mbyllura nxitoni të negocioni me kompanitë e përfshira në rrënimin e spitaleve modulare për çka në mbledhjet qeveritare keni marrë urdhër nga shefat? Ju më 11 korrik keni pranuar se keni kontratë për pagesat ndaj BRAKO-s . A po e demantoni veten tuaj ?! Gënjeshtrat nuk ju sjellin dobi”, ka shkruar Sali në postimin e tij, të shoqëruar me dokumentin zyrtar.
Bekim Sali pyet ministrin Mexhiti se “a mund me ndërgjegje të pastër t’i shpjegoni opinionit se si e justifikoni kërkesën e pagesës për kompaninë e përfshirë në akuza për parregullsi, dokumentacion të dyshimtë të revizionit dhe kaos gjyqësor? Apo është shumë për të kërkuar kaq nga një ministër?”
Mes tjerash Bekim Sali ka shkruar se mandati i deritanishëm i Mexhitit është fiasko, ndërsa për të ka edhe akuza nga partitë tjera opozitare se ai po merret me zhvatje ndaj veledrogerëve.
“Thonë se kanë faktet. Ju e dini këtë më së miri. Pse nuk flisni për këtë temë? Për vetëm shtatë muaj, ministër Mexhiti, portofoli juaj është kryevepër në dështime dhe kontroverse. Keni arritur të krijoni zhgënjim në çdo front – te votuesit tuaj, te partia juaj dhe në premtimet tuaja. Është mbresëlënëse se sa shpejt keni rënë në thellësitë e zhgënjimit. Ju lumtë!”, ka shkruar nënkryetari i Alternativës, Bekim Sali.