1
Shkup, 2 korrik 2025 – Deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku ka reaguar me një koment të fortë kritik mbi zhvillimet politike në rajon dhe lidhjet e liderëve shqiptarë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilin ai e cilëson si “pinjollin e Millosheviqit”.
Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Qoku vë në pikëpyetje takimet e përsëritura të një lideri shqiptar pa funksion shtetëror me Vuçiqin, duke theksuar se këto marrëdhënie nuk mund të shpjegohen ndryshe përveçse si miqësi të thella personale. Sipas tij, kjo lidhje është pjesë e një projekti më të gjerë, të cilin ai e quan “Bota serbe” – një vazhdimësi e Minishengenit dhe e Ballkanit të Hapur, që sipas Qokut përfaqësojnë vetëm forma të ndryshme të një ideje politike serbomadhe.
“Fotoja në kishën pranë manastirit të Shën Naumit nuk është e rastësishme – është simbolike. Është një mënyrë për t’i kujtuar këtij lideri se ky vend i bekuar që dikur i përkiste Shqipërisë, sot është nën kontrollin e Serbisë, falë figurave të tilla”, shkruan Qoku.
Ai shprehet skeptik për mundësinë që kryeministri aktual i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, të përfshihet në këtë narrativë rajonale, duke thënë se është më e mundur të shohim sërish foto të Vuçiqit me Edi Ramën dhe Ali Ahmetin, sesa me liderin konservator maqedonas.
Reagimi i Qokut ka ngjallur debat në rrjetet sociale, duke reflektuar shqetësimet në rritje mbi orientimin dhe përfshirjen e liderëve shqiptarë në nisma që perceptohen si pjesë e një agjende serbe në rajon.
Burimi: zhurnal.mk