Deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku, ka reaguar lidhur me protestën e studentëve për mosorganizimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke akuzuar BDI-në dhe liderin e saj Ali Ahmeti se për 22 vite në pushtet “normalizuan dhe stabilizuan padrejtësitë në kurriz të shqiptarëve.
Qoku thekson se e mbështet të drejtën e studentëve për të protestuar dhe për të kërkuar të drejtat e tyre, por theksoi se çështja e provimit të jurisprudencës është problem i trashëguar prej dekadash.
Ja postimi i tij:
Arritja më e madhe e BDI-së, në krye me Ali Ahmetin për 22 qeverisje, është se normalizuan dhe stabilizuan padrejtësitë në kurriz të shqiptarëve.
Si pjesëmarrës në shumë protesta civile dhe politike ndër vite, natyrisht që e mbështes të drejtën e studentëve për të protestuar dhe për të kërkuar të drejtat e tyre. Protesta është pjesë normale e një shoqërie demokratike dhe askush nuk duhet ta kontestojë këtë të drejtë.
Njëkohësisht, disa të vërteta duhet të thuhen qartë.
Provimi i jurisprudencës është bërë çështje publike vetëm në katër muajt e fundit. Dhe paradoksi më i madh është se këtë temë sot po përpiqen ta problematizojnë pikërisht njerëzit dhe strukturat politike që për më shumë se dy dekada nuk bënë asgjë për ta zgjidhur atë.
Megjithëse vetëm 4-5 problematikë, VLENi është zotuar se do t’i gjejë zgjidhje. Por nuk mund t’ia drejtosh gishtin VLENit përse nuk arrin ta zgjidhe për 4-5 muaj një çështje që nuk e kanë zgjidhur BDI për 22 vjet, me kryeministër teknik, me 7 ministra drejtësie dhe gjithë atë pushtet.
Dhe këtu lind pyetja themelore, nëse për më shumë se dy dekada kanë pasur vërtet pushtet real, si është e mundur që një çështje kaq elementare dhe kaq e ndjeshme për shqiptarët të mos jetë zgjidhur?
Nëse pushteti ka qenë real, atëherë moszgjidhja e kësaj çështjeje tregon se ai është përdorur kryesisht për interesa të ngushta partiake, klienteliste dhe personale, jo për zgjidhjen e problemeve reale të shqiptarëve.
Në të kundërtën, bie propaganda shumëvjeçare për “pushtetin real”, “barazinë” dhe “fitoret historike”.
Pikërisht këtu qëndron paradoksi moral dhe politik i gjithë kësaj situate.
Sepse ata që për 22 vite nuk e zgjidhën një të drejtë kaq bazike, sot po përpiqen të paraqiten si mbrojtësit kryesorë të saj. Në vend që të kishin modestinë politike për të heshtur, po tentojnë të dalin në krye të protestës dhe të udhëheqin një revoltë për një problem që vetë e lanë të pazgjidhur për më shumë se dy dekada.
Madje, sot i kërkohet një ministri maqedonas të drejtësisë, i cili disa herë ka shfaqur mungesë dashamirësie ndaj shqiptarëve, të zgjidhë për pak muaj një problem që nuk e zgjidhën shtatë ministra shqiptarë të drejtësisë për më shumë se 22 vite.
Po aq absurde është edhe kërkesa që një problem i tillë të zgjidhet për katër muaj, ndërkohë që ata që sot protestojnë në emër të tij kanë propaganduar për vite me radhë se shqiptarët kishin gjysmën e qeverisë dhe pushtet real në shtet.
Në thelb, gjithë kjo e zbulon dallimin mes propagandës politike dhe realitetit institucional.
Sepse një gjuhë nuk bëhet realisht zyrtare vetëm me deklarata politike. Ajo bëhet zyrtare kur përdoret në praktikë, në institucione, në procedura, në dokumente dhe në të drejta konkrete për qytetarët.
Fakti që provimi i jurisprudencës nuk është organizuar kurrë në shqip është dëshmi e qartë se barazia gjuhësore nuk është ndërtuar plotësisht në praktikë.
Dhe pikërisht këtu qëndron dallimi mes atyre që gjuhën shqipe e kanë përdorur si slogan politik dhe atyre që sot po përpiqen ta institucionalizojnë atë realisht.
Një tjetër element që nuk mund të anashkalohet është selektiviteti i “ndjeshmërisë” publike.
Shumica e atyre që sot paraqiten si mbështetësit më të zëshëm të protestës kanë qenë pothuajse krejtësisht indiferentë ndaj padrejtësive shumë më të rënda që u kanë ndodhur shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut gjatë 25 viteve të fundit.
Ka pasur vrasje, arrestime masive, procese të dyshimta gjyqësore, raste të montuara politikisht dhe padrejtësi të shumta kolektive. Në shumë prej këtyre rasteve, zëri i tyre nuk është dëgjuar pothuajse fare.
Nuk i pamë me protesta të vazhdueshme. Nuk i dëgjuam me të njëjtin zemërim moral. Nuk i pamë të flasin për diskriminimin institucional me energjinë me të cilën flasin sot.
Dhe kjo krijon dyshimin legjitim se për një pjesë të tyre problemi nuk është parimor, por politik.
Sepse kur hesht për vite të tëra përballë padrejtësive shumë më të mëdha ndaj shqiptarëve, ndërsa mobilizohesh menjëherë vetëm kur tema mund të përdoret për përfitim politik apo për sulm ndaj kundërshtarëve, atëherë lind pyetja: a është vërtet halli te studentët dhe të drejtat e shqiptarëve, apo te instrumentalizimi politik i një kauze reale?
Po aq e rëndësishme është të kuptohet se kjo protestë po zhvillohet edhe brenda një konteksti të qartë politik rajonal.
Në momentin kur ka nisur fushata zgjedhore në Kosovë, tema po përdoret edhe për sulme politike ndaj Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, si mbështetës të VLEN-it, subjektit politik që arriti ta largojë nga pushteti një prej strukturave më të korruptuara politike në Ballkan.
Mjafton të shihet se kush janë mbështetësit dhe nxitësit më të zëshëm të kësaj fushate për të kuptuar se për shumë prej tyre tema kryesore nuk janë studentët, provimi i jurisprudencës apo gjuha shqipe, por lufta politike dhe humbja e privilegjeve të ndërtuara për më shumë se dy dekada.
Kjo nuk do të thotë se protesta e studentëve nuk është legjitime. Përkundrazi. Studentët kanë të drejtë të kërkojnë barazi dhe trajtim dinjitoz.
Por është po aq e rëndësishme të bëhet dallimi mes protestës qytetare dhe përpjekjeve për instrumentalizimin politik të saj.
Sepse beteja reale nuk është për propagandë politike, por për zyrtarizim funksional dhe të barabartë të gjuhës shqipe në çdo nivel të shtetit.
Dhe mundësimi i provimit të jurisprudencës në shqip është pikërisht një hap në këtë drejtim, kalimi nga simbolika politike te barazia reale institucionale.(INA)
Burimi: lajmpress.org


