Yann Sommer është i përzgjedhuri i Interit për të zëvendësuar Onanën në portë dhe marrëveshja mes zikaltërve e Bayernit të Mynihut pritet të mbyllet brenda muajit korrik, në mënyrë që Inzaghi të ketë më në fund në dispozicion portierin e tij titullar.
Sommer është një portier i aftë të luajë me këmbë dhe këtë e konfirmon edhe ish-kapiteni i tij te Zvicra, Valon Behrami, i cili nuk ngurron të nxjerrë në pah as dobësitë e portierit helvet.
“Sommer është zëvendësuesi më i mirë për Onanën dhe Interi ka zgjedhur mirë. Ai luan shumë mirë me këmbë dhe ka siguri e personalitet.
E vetmja dobësi është në dalje, pasi nuk i pëlqen të largohet shumë nga vija e portës”, deklaroi Behrami.
Yann Sommer pritet t’i bashkohet Interit për shifrën e 4 milionë eurove dhe të firmosë për 3 sezone me zikaltrit e Simone Inzaghit.