Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Anton Quni, u deklarua në lidhje me pronat e konfiskuara të Milan Radoiçiqit, që me vendim të Qeverisë kaluan për shfrytëzim dhe përdorim nga organet e sigurisë së Kosovës.
Ai tha se objekti i vilës së Radoiçiqit, nuk plotëson kushtet për të shërbyer për nevojat e policisë së Kosovës, dhe se personeli brenda këtij objekti mund t’i ekspozohet rrezikut të madh.
“Objektet e institucioneve të sigurisë në fazën e tyre të planifikimit, duhet të plotësojnë shumë kushte të cilat do t’u sigurojnë funksionalitetin dhe sigurinë e personelit dhe teknikës. Lokacioni, relievi, lidhëshmëria me objektet fqinje, burimet autonome, materialet e ndërtimit, vizualiteti nga objekti etj., janë disa nga faktorët që gjithnjë merren në konsideratë.
Objekti në fjalë, as për së afërmi nuk i plotëson kushtet për të shërbyer për nevojat e policisë. Personeli brenda këtij objekti do t’i ekspozohej rrezikut të madh. Prandaj, do të duhej të rishikohej vendimi i Qeverisë që ky objekt të përdoret në shërbim të qytetarëve, të natyrës civile”, deklaroi deputeti i LDK-së Anton Quni për blic.