Një mesazh në “Instagram” ndryshoi jetën e Ashleigh Nelson në verën e vitit 2024.
Atletja britanike, e cila kishte fituar medaljen e argjendtë botërore në stafetën 4×100 në Doha dhe medaljen e bronztë europiane në 100 metra në Zyrih, ishte pranë tërheqjes nga sporti për shkak të një dëmtimi në tendinën e Akilit. Në atë moment, bashkëkombësja e saj, pilotja në ski luge, Adele Nicole, e pyeti nëse dëshironte ta provonte këtë disiplinë dimërore.
“Më mashtruan”, thotë Nelson në një intervistë për “The Guardian”. “Qeshni po të doni, por është e vërtetë”, shton ajo, teksa pranon se dinte shumë pak për këtë sport, në të cilin tani synon podiumin në Lojërat Olimpike Dimërore “MilanoCortina 2026”. “Nuk dija asgjë për të, nuk kisha parë kurrë një aksident. As nuk e dija që njerëzit përplaseshin, kontakti im më i afërt me ski luge kishte qenë filmi ‘Cool Runnings’”.
Nelson e kuptonte shpejtësinë vetëm mbi pistën e tartanit, por nuk e kishte menduar kurrë se mund ta transferonte atë edhe në akull, fillimisht si shtytëse dhe më pas duke arritur shpejtësi mbi 120 kilometra në orë brenda bobit.
“Nuk arrita të kualifikohesha për Lojërat e Parisit dhe pikërisht atëherë Adele më dërgoi mesazh. Ndihesha pak e trishtuar dhe e brishtë, kështu që kur më tha: ‘A të pëlqen të provosh ski luge?’, iu përgjigja: ‘Ndoshta’. Dhe 18 muaj më vonë, jam në Lojërat Olimpike Dimërore, gjë që është paksa e çuditshme.”
Duke qenë se bëhet fjalë për një nga disiplinat më shpërthyese të Lojërave Dimërore, ku shpejtësia është thelbësore në nisjen e çdo zbritjeje, është e zakonshme që atletë të sprintit të bëhen pjesë e këtyre slitatave. Por përshtatja nuk është gjithmonë e lehtë. “Nuk ka rrip sigurimi. Nuk ka airbagë”, pranon Nelson.
“Herën e parë që zbrita më thanë: ‘Çfarëdo që të ndodhë, mbaju fort, mos u lësho’.
Kur mbërrita poshtë, trupi im ishte në shok”. Pas zbritjeve të para, pavarësisht besimit maksimal te bashkëkombësja e saj, Nelson mendoi se kjo disiplinë nuk ishte për të. Megjithatë, ajo qëndroi gjatë gjithë grumbullimit të parë dhe tani synon podiumin olimpik. Me një detaj të veçantë: zbret me sytë mbyllur. “Pse t’i hap?”, qesh ajo.
Pjesa më e madhe e punës së saj bëhet në 50 metrat e parë. “Jam e shpejtë, jam e fortë, nuk jam këtu vetëm sepse kam flokë të bukur”, përfundon ajo.
Burimi: botasot.info


