Bashkimi Evropian paralajmëroi pronarin e ri të Twitter-it, Elon Musk që të zbatojë rregullat e Unionit për dezinformimin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Anëtari i Komisionit Evropian, përgjegjës për tregun e brendshëm, Thierry Breton në një deklaratë me shkrim pas bisedës me Musk-un tha se mirëpret qëllimin e Elon Musk-ut për ta bërë Twitter-in 2.0 të përshtatshëm me Ligjin e Shërbimeve Dixhitale të BE-së. “Musk ka lexuar me kujdes rregulloren e BE-së dhe se e vlerëson të arsyeshme zbatimin e saj në mbarë botën”, tha Breton.
“Të paraqesim në mënyrë të qartë se ka ende shumë punë për të bërë pasi do të jetë e nevojshme që Twitter-i të zbatojë politika transparente të përdoruesve, të forcojë në masë të rëndësishme kontrollin e përmbajtjes, të mbrojë lirinë e shprehjes, të luftojë në mënyrë të vendosur me dezinformimin dhe të kufizojë reklamat me objektiv”, tha anëtari i KE-së.
Breton nga llogaria e tij në Twitter ndau një video të shkurtër lidhur me bisedën e zhvilluar me Musk-un. Ndërkohë ka tërhequr vëmendjen se Breton deklaratën e tij me shkrim në vend të Twitter-it e ka publikuar përmes aplikacionit rival të medias sociale Mastodon.
Anëtari i KE-së, Breton i dha përgjigje mesazhit “Zogu u lirua” të bërë më parë nga Musk, pas përfundimit të procesit për blerjen e Twitter-it. Breton e paralajmëroi Musk-un me shprehjen “Zogu në Evropë do të fluturojë sipas rregullave tona”.
Burimi: GAZETA.MK