Si edhe në vitet e kaluara edhe në vitin 2022 Komisioni Evropian në Raportin për progresin e vendit drejt integrimeve evropiane përsëri kishte vërejtje për ndotjen e ajrit. Në kapitullin Mjedisi jetësor dhe ndryshimet klimatike, BE-ja si detyrë të parë për autoritetet në Maqedoninë e Veriut për të cilën duhet të punojnë më shumë gjatë vitit të ardhshëm e thekson përshpejtimin e përpjekjeve për uljen e ndotjes së ajrit në nivel lokal dhe kombëtar, raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Në raportin e këtij viti Komisioni Evropian vë në dukje se zbatimi i aktiviteteve mbetet shqetësues në të gjithë sektorët, përfshirë këtu edhe zgjidhjen e problemit të ndotjes së ajrit.
„Vendi duhet të përforcojë ndjeshëm ambiciet e tij në lidhje me tranzicionin e gjelbër, posaçërisht në kontekst të Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor“,thuhet në Raportin e Progresit të Reformave 2022.
Në pjesën për cilësinë e ajrit në Raport thuhet se në korrik të vitit 2021 janë miratuar ndryshimet e Ligjit për cilësinë e ajrit ambiental. Kanë vazhduar edhe përpjekjet në vend për përmirësimin e inventarit të emetimeve të materieve ndotëse në ajër. Në raport theksohet se është përgatitur Plani për cilësinë e ajrit për vitin 2021 për Manastirin dhe Programi për zvogëlimin e ndotjes së ajrit për vitin 2021. Në gusht dhe tetor të vitit 2022 filloi përgatitja e katër planeve për cilësinë e ajrit, bashkë me pesë kadastra të ndotësve të ajrit.
„Edhe krahas progresit të arritur cilësia e ajrit mbetet shqetësim kryesor në qytetet e mëdha”, thuhet në Raportin e Komisionit Evropian dhe pastaj shtohet që në Komunat e Berovës dhe Komunën e Prilepit janë vendosur dy stacione automatike për monitorimin e cilësisë së ajrit ambiental, si dhe janë zëvendësuar instrumentet matëse në disa nga stacionet ekzistuese për monitorim.
Gorjan Jovanovski, eko-aktivist dhe këshilltar nga „Qyteti i gjelbër Human” në Këshillin e Qytetit të Shkupit, për Meta.mk tha se vërejtja për ndotjen e ajrit në Raportin e Komisionit Evropian është prezente plot pesë vite, gjë që tashmë e ka vënë re edhe Arianit Xhaferi nga „Eko-Gerila“.
„Ajri përmendet çdo herë, por nuk ka ndonjë përparim të madh. Maqedonia ka shumë punë për të bërë, që nga vendosja e një rrjeti shumë më të madh të stacioneve matëse për monitorimin e cilësisë së ajrit dhe për monitorimin e ndikimit të masave të zbatuara, e deri në drejtimin e plotë të energjisë diellore për familjet, bizneset dhe institucionet shtetërore”, thotë Gorjan Jovanovski.
Ai shton se është e nevojshme që në periudhën në vijim qeveria të fokusohet në inspektime intensive të shoqëruara me dënimet e duhura, sidomos për bizneset dhe industrinë të cilët e ndotin ajrin. Jovanovski drejton kritika edhe ndaj Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit Jetësor, për të cilin thotë se është sikur nuk ekziston. Krahas punës më intenizive të inspektorëve nevojiten edhe sisteme automatike të monitorimit dhe marrja e lejes së punës së atyre subjekteve që bëjnë pjesë në ndotjen e ajrit. Gorjan Jovanovski thotë se për shkak të ndotjes së ajrit në vendin tonë kemi 3000 raste të vdekjes në vit.
Sa i përket Raportit për progresin e reformave të Komisionit Evropian, Gorjan Jovanovski mendon se në pjesën për mjedisin jetësor ai është mjaft i shkurtër.
„Mendoj se aktivistët dhe organizatat joqeveritare mund ta ndihmojnë delegacionin lokal të BE-së në zgjerimin e kësaj pjese për vitin e ardhshëm. Sa i përket ndotjes së ajrit nuk shoh të kemi bërë progres real, cilat janë ato masa me të cilat kemi bërë progres real? Për mendimin tim, BE-ja mjedisin jetësor duhet ta vendosë mbi të gjitha vërejtjet e tjera si pjesën më kritike për shëndetin dhe jetën e qytetarëve në vend. Ky duhet të jetë kushti i parë dhe kryesor për vazhdimin e bisedimeve me vendin”, thotë ekoaktivisti Gorjan Jovanovski, dhe thotë se vetëm në këtë mënyrë institucionet do të fillojnë të luftojnë me të vërtetë kundër këtij problemi.
Sa i përket kapitullit për Mjedisin jetësor dhe ndryshimet klimatike në Raportin e Komisionit Evropian reagime ka edhe nga platforma civile „Platforma 27”, e cila i ndjek negociatat e Maqedonisë së Veriut me BE-në lidhur me këtë kapitull dhe në të cilën bëjnë pjesë organizatat dhe shoqatat më të mëdha ekologjike në vendin tonë.
„Në Raportin e fundit të Komisionit Evropian janë shënuar përmirësimet në legjislacionin për cilësinë e ajrit, por nevojiten investime më serioze në të gjithë sektorët kyçe. E njëjtë është situata edhe me arritjen e taregeteve për realizimin e neutralitetit klimatik”, thuhet në kumtesën e „Platforma 27”.
Analizën e rregullt të shkurtër pas Raportit të Komisionit Evropian për vendin e publikoi edhe Instituti për Politikë Evropiane – EPI. Në pjesën për kapitullin 27 – Mjedisi jetësor, vendi ka bërë një progres „të caktuar” për dallim nga vitet e kaluara të stagnimit ose progresit krejtësisht të kufizuar, por vazhdojnë të vlejnë vërejtjet për zbatimin, thuhet në analizën e EPI.
Vetëm disa ditë para publikimit të Raportit të KE-së, Meta.mk publikoi një artikull ku thuhej se Laboratori Qendror për Mjedisin Jetësor edhe këtë dimër nuk do të jetë i gatshëm ta monitorojë cilësinë e ajrit që thithim. Edhe pse ky laborator i Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ekziston prej kohësh, ende nuk është akredituar për asnjë metodë për monitorimin e gjendjes me ajrin në vend. Sa i përket ndotjes së ajrit Portalb.mk dhe Meta.mk kanë shkruar rregullisht edhe për rritjen e importit të automjeteve të përdorura nga jashtë, për rritjen e përdorimit të karburantit dizel, për funksionimin e termocentraleve, mos moszbatimin e etiketave ekologjike për automjetet dhe për një sërë temash të tjera që kanë të bëjnë me cilësinë e ajrit.
Burimi: portalb.mk