BE-ja: Kosova dhe Serbia përballë me rrezikun e humbjes së mundësisë për përparim në rrugën evropiane

September 19, 2023
min lexim

Këshilli i Bashkimit Evropian (BE), paralajmëroi Serbinë dhe Kosovën se nëse nuk ndërmarrin hapa për normalizim, ato do të humbasin mundësitë në rrugën drejt BE-së, transmeton Anadolu.

Këshilli Evropian bëri një deklaratë me shkrim lidhur me Takimin e Dialogut Beograd-Prishtinë që u mbajt javën e kaluar në Bruksel mes Serbisë dhe Kosovës.

Në deklaratën ku thuhet se ka shqetësim për shkak të problemeve në procesin lidhur me normalizimin e dy vendeve, bëhet e ditur se “Punimet për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe duhet të fillojnë pa parakushte ose pa vonesa të mëtejshme”.

“BE-ja vazhdon të jetë e shqetësuar për mungesën ende të përparimit nga të dyja palët në uljen e tensioneve në veri të Kosovës, ndërkohë që kanë kaluar muaj nga ngjarjet e fundit të dhunshme që shkaktuan plagosjen e qytetarëve, ushtarëve të Forcave Paqësore (KFOR) të NATO-s në Kosovë, të forcave të zbatimit të ligjit dhe të përfaqësuesve të mediave”, vlerësohet më tej në deklaratë.

“Pavarësisht thirrjeve të shumta nga BE-ja dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, hapat e ndërmarrë deri më tani janë të pamjaftueshëm dhe situata e sigurisë në veri mbetet e tensionuar”, thuhet në deklaratën në të cilën theksohet se të gjitha masat e marra nga BE-ja janë të “kthyeshme” nëse palët nuk respektojnë përgjegjësitë e tyre.

Po ashtu në deklaratë vihet në dukje rëndësia për mbajtjen me shpejtësi të zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës dhe serbëve të Kosovës u bëhet thirrje që të marrin pjesë plotësisht dhe pa kushte në procesin zgjedhor.

Më tej në deklaratë palëve u rikujtohet se rruga drejt anëtarësimit në BE kalon nga normalizimi dhe thuhet se “Që të dy vendet ndodhen përballë rrezikut të humbjes së mundësive për të përparuar drejt rrugës Evropiane”.

Marrëdhëniet Kosovë-Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 18 mars në qytetin Ohër të Maqedonisë së Veriut, me ndërmjetësim të BE-së arritën dakordim për çështjen e marrëveshjes që do të sigurojë normalizimin e marrëdhënieve.

Edhe pse marrëveshja e njoftuar publikisht prej 11 pikash që do të normalizojë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë nuk e detyron Serbinë të njohë pavarësinë e Kosovës, ajo kërkon që të dyja vendet të njohin dokumentet dhe simbolet zyrtare të njëri-tjetrit, përfshirë pasaportat, diplomat dhe targat e automjeteve. Ndërsa nga Kosova kërkohet që të themelojë “Asociacionin e Komunave Serbe” që do të kenë të drejta vetëqeverisëse në vendbanimet ku jetojnë kryesisht serbë në vend.

Tensionet e paraqitura në veri të Kosovës në fund të muajit maj, shkaktuan bllokimin e procesit të normalizimi.

Arsyeja kryesore që dy vendet vendosen përballë njëra-tjetrës, thuhet se është se Serbia e shikon si territor të sajin Kosovën e cila në vitin 2008 shpalli pavarësinë.

Ndërsa në kuadrin e Procesit të Dialogut Beograd-Prishtinë të filluar në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së, po bëhen përpjekje për të gjetur një rrugë të përbashkët për normalizimin e marrëdhënieve dhe përfundimisht njohjen e dy vendeve nga njëra-tjetra.

Palët nuk mundën të arrinin dakordësim në takimin e fundit të tyre që mbajtën në Bruksel më 14 shtator me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell.





MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Siguria kibernetike në Kosovë, fushë e re me shumë sfida

Story i radhës

Salianji i prerë: Kush voton pro qeverisë, të përjashtohet nga grupi i PD

Të fundit nga

ShkoLartë