Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, i ka bërë thirrje Rusisë “ta lirojë menjëherë” Alsu Kurmashevën, gazetaren veterane në Shërbimin Tatar-Bashkir të Radios Evropa e Lirë (REL), e cila është duke u mbajtur në paraburgim në Rusi që dy muaj.
“BE-ja u bën thirrje autoriteteve ruse ta lirojnë menjëherë gazetaren Alsu Kurmasheva, e cila përballet me një dënim deri në 15 vjet burgim, për kryerjen e punës së gazetares”, shkroi Borrell në rrjetet sociale më 18 dhjetor.
“Autoritetet ruse duhet ta garantojnë sigurinë e gazetarëve dhe të drejtën e tyre për lirinë e shprehje, e jo t’i përndjekin ata”, shtoi ai.
Kurmasheva – gazetare në selinë qendrore të REL-it në Pragë të Republikës Çeke me dyshtetësi, amerikane dhe ruse – kishte udhëtuar për në Rusi në maj për shkak të një emergjence familjare.
Ajo ishte ndaluar përkohësisht më 2 qershor në aeroportin e Kazanit, ku ishte duke pritur që të kthehej në Pragë. Aty autoritetet ia konfiskuan të dyja pasaportat. Prej atëherë, ajo nuk ka mundur të largohet nga Rusia.
Më 11 tetor, autoritetet e gjobitën Kurmashevën me 110 dollarë për shkak se kishte “dështuar t’i njoftonte zyrtarët rusë se mban edhe një shtetësi tjetër”.
Kurmasheva u arrestua sërish më 18 tetor nën akuzën se ka dështuar të regjistrohet si agjente e huaj. Sipas ligjeve ruse, për një akuzë të tillë ajo mund të dënohet deri me pesë vjet burgim.
Komisioni Hetues tha asokohe se Kurmasheva akuzohet në bazë të një paragrafi të Kodit Penal, i cili i referohet regjistrimit të “agjenteve të huaj” të cilët bëjnë “grumbullimin e qëllimshëm të të dhënave në fushën e ushtrisë dhe aktiviteteve teknike ushtarake të Rusisë”, të cilat, nëse pranohen nga burimet e huaja “mund të përdoren kundër sigurisë së vendit”.
Komisioni nuk dha hollësi të tjera.
Shumë kritikë dhe grupe për të drejtat e njeriut thonë se i ashtuquajturi ligj për agjentët e huaj po përdoret nga Kremlini për t’i luftuar disidentët.
Më 12 dhjetor, agjencia e lajmeve Tatar-Inform në Tatarstan dhe kanali Baza në Telegram, të dyja të lidhura me qeverinë, thanë se Kurmasheva tani akuzohet për përhapjen e lajmeve “të rreme” për forcat e armatosura ruse, një akuzë që është e dënueshme me deri në 10 vjet burgim.
Paraburgosja e Kurmashevës në Rusi, e cila është anëtarja e dytë e mediave amerikane që mbahet nga Moska këtë vit, nxiti një valë kritikash nga grupet për të drejtat e njeriut dhe politikanët, të cilët thanë se kjo tregon për një shkallë të re të censurës në kohë lufte.
Grupi rus për të drejtat e njeriut, Memorial, e ka njohur Kurmashevën si të burgosur politike.
Moska është akuzuar se po i ndalon gazetarët amerikanë për t’i përdorur për këmbimin e tyre me të burgosur rusë në Shtetet e Bashkuara. Gazetari i Wall Stree Journal, Evan Gershkovich, u arrestua në mars për gjoja spiunim – një akuzë të cilën ai dhe gazeta e mohojnë plotësisht./REL
Burimi: GAZETA.MK