Shkup, 15 dhjetor – Këshilli i BE-së e ka refuzuar deklaratën bullgare me të cilën kërkohej “ndjekje dhe dënim efektiv për krimet nga urrejtja nga ana e autoriteteve në Maqedoninë e Veriut”. Sofja ka kërkuar që deklarata e saj unilaterale të hyjë në konkluzionet e Këshillit për Çështje të Përgjithshme në pjesën për Maqedoninë e Veriut, por ministrat e kanë refuzuar atë kërkesë.
Disa media në Bullgari dje publikuan se deklarata bullgare ishte pranuar, por sipas konkluzioneve të Këshillit në të cilat ka pasur qasje Dojçe Vele kjo nuk është e vërtetë. Mediat bullgare i referohen konkluzionit për “përforcim të mëtutjeshëm të të drejtave themelore, lirisë së mediave dhe lirisë së shprehjes” i cili është theksuar në pikën 12 të konkluzioneve, dhe i cili ka të bëjë për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Në deklaratë për DV, këtë e konfirmoi edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq. Deklarata unilaterale e Bullgarisë nuk është pjesë e konkluzioneve, dhe ai qëndrim i tyre individual nuk ishte pranuar nga vendet e tjera, tha Mariçiq.
Zëvendëskryeministri sqaron se konkluzionet e këshillit “vetëm përkujtojnë për konkluzionet paraprake” të miratuara në korrik të këtij viti “dhe gjithçka tjetër është mbështetje për pozicionin tonë dhe vazhdim i bisedimeve për anëtarësim”.
Marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal mbeten elementet thelbësore të procesit të zgjerimit, si dhe të Procesit të stabilizimit dhe asocimit. Këshilli përkujton për rëndësinë e arritjes së rezultateve dhe zbatimin e marrëveshjeve dypalëshe, duke përfshirë edhe Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjen për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim me Bullgarinë. Në tekst theksohet se duhet të shmangen deklarata dhe aktivitete të cilat ndikojnë negativisht në marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe në zgjidhjen paqësore të kontesteve
Burimi: zhurnal.mk