Komisioni i BE-së synon të marrë një mandat për të përgatitur ndërhyrje në tregun e energjisë elektrike dhe të gazit në mbarë vendet e BE-së. Por Hungaria i refuzon plotësisht masat e kursimit.
Gjendja në tregun evropian të gazit dhe të energjisë elektrike është përkeqësuar në mënyrë dramatike. Çmimet po shkojnë në qiell si rezultat i luftës ruse kundër Ukrainës. Stabiliteti i furnizimit me energji elektrike gjatë dimrit është në rrezik. Kjo është arsyeja pse ministrat e Energjisë të BE-së do të takohen të premten për të shkëmbyer ide. Nga takimi nuk pritet të merren vendime formale, por koha nuk pret. Komisioni i BE-së synon që të marrë mandatin për të përgatitur ndërhyrje në tregun e energjisë elektrike dhe të gazit në mbarë BE-në. Presidentja e Komisionit të BE-së synon të paraqesë javë e ardhshme draftin e parë të një rregulloreje me masa drastike.
Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, u shpjegoi personalisht të mërkurën (07.09) propozimet e saj ambasadorëve të 27 vendeve anëtare të BE-së, një hap tepër i pazakontë ky që bën edhe një herë të qartë seriozitetin e situatës.
Çfarë propozon Komisioni i BE-së?
Në radhë të parë Komisioni i BE-së propozon kursimin e energjisë. Në orët e pikut të konsumit të energjisë elektrike, në mëngjes dhe në mbrëmje, vendet anëtare të BE-së duhet të angazhohen në mënyrë të detyrueshme që të ulin konsumin e energjisë me 10 për qind. Shtetet anëtare të BE-së janë zotuar se do ta reduktojnë në dimër konsumin e gazit me 15 për qind, por vetëm mbi baza vullnetare.
Më tej Komisioni i BE-së propozon aplikimin e një takse shtesë për kompanitë që prodhojnë energji elektrike me çmim të ulët nga dielli, era ose uji. Me të ardhurat nga kjo taksë synohet të subvencionohen faturat e energjisë elektrike për konsumatorët e varfër dhe firmat që nuk janë të gjendje të përballojnë çmimet e energjisë dhe të gazit.
Po ashtu Ursula von der Leyen deklaroi se kompanitë që kanë nxjerrë fitime jashtëzakonisht të lartagjatë muajve të fundit për shkak të rritjes së çmimeve të naftës dhe gazit duhet të paguajnë një “taksë solidariteti”. Fjala është për një tatim mbi fitimin e tepërt për kompanitë e naftës dhe gazit. Se sa i lartë do të jetë ky tatim dhe çfarë do të bëhet me të ardhurat prej tij është ende e hapur.
Po ashtu Komisioni i BE-së po propozon vendosjen e një çmimi tavan për gazin si dhe që kompanitë e furnizimit me energji të ndihmohen me kredi ose ndihma shtetërore, në mënyrë që të mos ketë valë falimentimesh të kompanive dhe probleme me bankat. Për këtë pritet që rregullat e BE-së do të ndryshohen brenda një kohe të shkurtër.
Si do të reagojnë shtetet anëtare të BE-së?
Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen është e bindur se masat që propozon ajo mund të zbatohen shpejt dhe pa shumë rezistencë. Tregu evropian i energjisë nuk është i rregulluar dhe ekspertët mendojnë se ky status është mirë që të vazhdojë të ruhet. Gjithësesi Hungaria i ka refuzuar plotësisht masat e kursimit dhe është e diskutueshme nëse të gjitha vendet anëtare do të bien dakord për kursimin e energjisë elektrike.
Kryeministri hungarez Viktor Orban është i vetmi kryetar qeverie i vendeve të BE-së që ra dakord me presidentin Putin për një çmim special për furnizimin në shkallë të gjerë me gaz rus për Hungarinë. Si rrjedhojë çmimi i energjisë elektrike në Hungari ka rënë në krahasim me vitin e kaluar, ndërsa në shtetet baltike ai është katërfishuar./DW