Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell, përsëriti sot thirrjen e mëparshme të BE-së drejtuar Moskës për lirimin e opozitarit rus Alexei Navalny nga burgu, në përputhje me masën e përkohshme të miratuar më parë nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
“Ne dënojmë nxjerrjen jashtë ligjit të organizatës së Navalny dhe zyrave të tij rajonale si të ashtuquajtura ‘grupe ekstremiste’ dhe persekutimin dhe burgosjen e vazhdueshme të zotit Navalny dhe anëtarëve të ekipit të tij,” tha Borrel.
Shtohet se masat e marra më herët ndaj Navalny nga autoritetet e burgut janë “të pajustifikuara” dhe se BE do t’i mbajë autoritetet ruse përgjegjëse për sigurinë dhe shëndetin e tij.
“Ne jemi dëshmitarë me keqardhje se lufta e pajustifikuar dhe e paligjshme e Rusisë kundër Ukrainës vetëm sa ka intensifikuar represionin e brendshëm të Rusisë dhe konfrontimet sistematike me kritikët më të zëshëm të Kremlinit dhe shoqërisë civile në tërësi”, thuhet në deklaratën e EEAS.
Navalny, një armik politik i presidentit rus Vladimir Putin, u arrestua në janar 2021 pasi u kthye nga Gjermania, ku po shërohej nga helmimi me agjent nervor, për të cilin fajësoi Kremlinin.
Ai u dënua me dy vjet heqje lirie për shkeljen e kushteve të lirimit me kusht ndërsa ishte jashtë Rusisë.
Në mars, Navalny u dënua me nëntë vjet burg me akuza për mashtrim dhe përbuzje të gjykatës, të cilën ai e quajti një përpjekje të motivuar politikisht nga autoritetet ruse për ta mbajtur pas hekurave për aq kohë sa të ishte e mundur.