Bashkimi Evropian shprehu shqetësimin të hënën për ato që i quajti “deklarata armiqësore” pasi presidenti turk Erdogan akuzoi Greqinë për pushtimin e ishujve të çmilitarizuar në Egje dhe tha se Turqia ishte e gatshme “të bëjë atë që është e nevojshme” kur të vijë koha.
Rivalët historikë, Turqia dhe Greqia ndonëse janë anëtarë të NATO-s, kanë mosmarrëveshje rreth çështjeve që variojnë nga fluturimet mbi hapësirat territoriale të të dyja palëve, statusi i ishujve të Egjeut e deri te kufijtë detarë dhe burimet hidrokarbure në Mesdhe, si dhe Qiproja e ndarë etnikisht.
“Deklarimet e vazhdueshme armiqësore nga drejtuesit politikë të Turqisë kundër Greqisë…ngrenë shqetësime serioze dhe kundërshtojnë plotësisht përpjekjet e nevojshme për uljen e tensioneve në Mesdheun Lindor,” tha Peter Stano, zëdhënës i shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
“Kërcënimet dhe retorika agresive janë të papranueshme dhe duhet të ndalen,” shtoi ai, duke nënvizuar kërkesat e BE-së që dallimet të zgjidhen në mënyrë paqësore dhe në respekt të plotë të ligjit ndërkombëtar.
“BE rithekson pritshmëritë e saj që Turqia të punojë seriozisht në uljen e tensioneve në një mënyrë të qëndrueshme në interes të stabilitetit rajonal në Mesdheun Lindor dhe të respektojë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjitha vendeve anëtare të BE-së,” tha zoti Stano.
Ankaraja së fundi e ka akuzuar Athinën për armatosjen e ishujve të çmilitarizuar të Egjeut, diçka që Athina e kundërshton. Presidenti turk Erdogan nuk e kishte akuzuar më parë Greqinë për pushtimin e tyre.
Greqia reagoi duke thënë se nuk do ta kopjojë Turqinë duke bërë deklarata të egra dhe të rrezikshme.
Në vitin 2023, Turqia do të mbajë zgjedhjet e radhës të cilat cilësohen si sfida më e madhe zgjedhore e qeverisjes gati 20-vjeçare të zotit Erdogan. Ai po shfrytëzon arritjet në skenën globale ndërsa ka rritur retorikën e tij për politikën e jashtme.
Ankaraja thotë se ishujt e Egjeut iu dhanë Greqisë sipas traktateve të viteve 1923 dhe 1947 me kusht që ajo të mos i armatosë ato. Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu ka thënë vazhdimisht se Turqia do të fillojë të vërë në dyshim sovranitetin grek mbi ishujt nëse Athina këmbëngul në armatosjen e tyre./VOA