Bashkimi Evropian ka vlerësuar se situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë e brishtë.
Zëdhënësja e BE-së për politikë të jashtme, Nabila Massrali, të martën në konferencë për media, ka thënë se zhvillimet e fundit në Kosovë kanë treguar se sa e rëndësishme është të arrihet normalizimi i marrëdhënieve.
“Ne kemi mirëpritur eskalimin e tensioneve dhe largimin e barrikadave. BE-ja ka luajtur rol aktiv në arritjen e kësaj, në koordinim me SHBA-në dhe KFOR-in. Situatat vazhdon të mbetet e brishtë. Presim nga të gjitha palët që të frenohen e ta ruajnë qetësinë”, ka thënë Massrali.
“T’i evitojnë veprimet që kanë potencial për të kthyer përshkallëzimin apo dhunën. EULEX-i vazhdon ta monitorojë situatën. Zhvillimet e javëve të fundit kanë treguar se sa e rëndësishme është të bëhet progres i vërtetë dhe i pakthyeshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve”.
Ajo ka thënë se duhet të zbatohen marrëveshjet e deritanishme dhe se duhet të fillohet me bisedimet për themelimin e Asociacionit.
“Kjo gjithashtu nënkupton zbatim të plotë të marrëveshjeve ekzistuese pa vonesë, duke filluar me kthimin e serbëve në institucione dhe fillimin e diskutimeve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.
Massrali tha se BE-ja do të vazhdojë të punojë me palët në këtë drejtim dhe se për takimet e ardhshme Kosovë-Serbi “sigurisht do t’i njoftojmë kur duhet”.