BE do të mbyllë hapësirën ajrore për kompanitë ruse dhe do të blejë armatime për Ukrainën

February 27, 2022
min lexim

BRUKSEL – Bashkimi Evropian synon të mbyllë hapësirën ajrore për linjat ajrore ruse, do të blejë armatime për Ukrainën dhe do të bllokojë mediat pro-Kremlinit, thanë zyrtarët e Komisionit Evropian.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se masat që pritet të miratohen, do të shënojnë herën e parë që blloku prej 27 vendesh financon blerjen dhe dërgimin e armëve dhe paisjeve për një vend që është duke u sulmuar.

“Është rrëzuar një tjetër tabu. Tabuja se Bashkimi Evropian nuk ofron armatime për luftë”, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Këto plane të Komisionit Evropian pasuan një tjetër njoftim të bërë më herët nga Gjermania se ajo do të angazhojë 100 miliardë Euro për një fond të posaçëm të forcave të armatosura dhe se do t’i rrisë shpenzimet e saj për mbrojtjen mbi nivelin 2% të PBB-së. Ky ndryshim nxjerr në pah se si lufta e Rusisë në Ukrainë po rishkruan politikat e sigurisë dhe të mbrojtjes në Evropën e pas-Luftës së Dytë Botërore, në mënyra që ishin të paimagjinueshme vetëm pak javë më parë.

Image

Ambasadori i Ukrainës Andrij Melnyk, qëndron në tribunën e vizitorëve, ndërsa ligjvënësit e duartrokasin në fillim të një takimi të parlamentit federal gjerman, Bundestag, në Berlin, Gjermani, të dielën, 27 shkurt 2022. (AP Photo/Michael Sohn)

Protestuesit kundër luftës dolën ndërkohë në rrugët e Berlinit, Romës, Pragës, Stambollit dhe qytetet e tjera, madje edhe në qytete të Rusisë, si në Moskë dhe Shën Pjetërburg, dhe në dhjetëra qytete bjelloruse, për të kërkuar dhënien fund të luftës për të cilën është ndërmarrë ofensiva më e madhe tokësore në kontinentin evropian që nga koha e Luftës së Dytë Botërore.

Aktivistët e të drejtave të njeriut raportuan se mbi 170 persona u arrestuan në protestat në Bjellorusi, ndërkohë që udhëheqësi autoritar i këtij vendi e ka vendosur territorin në dispozicion të vendit mik, Rusisë. Në Minsk, njerëzit vazhduan të vendosnin buqeta të shumta me lule tek godina e ambasadës ukrainase.

Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën të dielën përpara Portës së Brandenburgut në Berlin, me parrulla si “Duart larg Ukrainës”, dhe “Putin, shko për terapi dhe lëre Ukrainën dhe botën në paqe”.

Plani i BE-së për të financuar blerjen e armatimeve është i paprecedentë dhe do të përdorte miliona Euro për të ndihmuar në blerjen e sistemeve të mbrojtjes ajrore, të armëve kundratank, municioneve dhe paisjeve të tjera ushtarake për forcat e armatosura ukrainase. Plani do të ofronte edhe furnizime si karburant, veshje mbrojtëse, helmeta dhe kuti të ndihmës së shpejtë.

Në këtë kuadër mund të përdoren fonde të BE-së edhe për të rimbursuar vendet e BE-së që kanë dërguar gjatë këtij viti asistencë për Ukrainën, duke shërbyer kështu si nxitje që këto vende të investojnë më shumë tek asistenca.

Për të shtuar trajnimet ushtarake dhe misionet mbështetëse nëpër botë, blloku prej 27 vendesh anëtare ka ngritur Fondin për Paqen Evropiane me një buxhet maksimal prej rreth 5.7 miliardë Eurosh. Një pjesë e këtyre fondeve mund të përdoret për të trajnuar dhe pajisur vendet partnere edhe me armë vdekjeprurëse.

Zonja Von der Leyen tha se krahas blerjes së armatimeve, vendet e BE-së do të mbyllin hapësirën e tyre ajrore për linjat ruse, vendim ky i njoftuar tashmë nga disa vende anëtare të BE-së.

“Propozojmë ndalimin e të gjithë avionëve në pronësi ruse, të regjistruar në Rusi, apo të kontrolluar nga rusët. Këta avionë nuk do të munden më të ulen, të nisen apo të fluturojnë mbi territorin e BE-së“, tha ajo.

Ajo tha gjithashtu se BE-ja do të bllokojë “makinerinë mediatike të Kremlinit. Kanalet shtetërore Russia Today dhe Sputnik, si dhe filialet e tyre, nuk do të jenë më në gjendje të përhapin gënjeshtrat e tyre për të justifikuar luftën e Putinit dhe për të mbjellë përçarje në union tonë”.

Zonja Von der Leyen shtoi se BE-ja do të marrë masa ndaj Presidentit bjellorus Alexander Lukashenko për mbështetjen e gjerë ushtarake të Rusisë në Ukrainë.

“Do ta godasim regjimin e Lukashenkos me një paketë të re sanksionesh”, tha ajo.

Njoftimi i Kancelarit gjerman Olaf Scholz për fondin e ri të mbrojtjes ka domethënie jashtëzakonisht të madhe për Gjermaninë, e cila është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët në NATO se nuk ka investuar mjaftueshëm për buxhetin e saj të mbrojtjes. Vendet anëtare të NATO-s janë zotuar për të shpenzuar 2% të PBB-së për mbrojtjen, por Gjermania ka shpenzuar rregullisht shumë më pak.

Image

Kancelari gjerman Olaf Scholz mban një fjalim mbi sulmin rus ndaj Ukrainës gjatë një takimi të parlamentit federal gjerman, Berlin, 27 shkurt 2022. (AP Photo/Michael Sohn)

“Është e qartë se ne duhet të investojmë shumë më tepër tek siguria e vendit tonë, në mënyrë që të mbrojmë lirinë dhe demokracinë tonë”, tha Kancelari Scholz në një seancë speciale të Bundestagut në Berlin.

Zoti Scholz tha se fondi prej 100 miliardë Eurosh ishte aktualisht një masë vetëm për vitin 2022. Nuk u bë menjëherë e qartë nëse fonde të ngjashme do të miratohen gjatë viteve të ardhshme. Por zoti Scholz sinjalizoi se Gjermania do ta tejkalojë në vazhdim pragun prej 2% të PBB-së, duke sinjalizuar një rritje të përgjithshme në të ardhmen në shpenzimet e mbrojtjes.

Një ditë më parë, Gjermania njoftoi një tjetër ndryshim të madh të politikave, duke thënë se do të dërgojë armë dhe furnizime të tjera drejtpërdrejt në Ukrainë, përfshirë 500 raketa Stinger, të cilat përdoren për të rrëzuar helikopterët dhe avionët luftarakë, dhe 1000 armë antitank.

Izraeli njoftoi se po dërgonte 100 tonë ndihma humanitare – pajisje mjekësore dhe ilaçe, tenda dhe batanije – për të ndihmuar civilët në Ukrainë. Izraeli u vetëofrua gjithashtu si një ndërmjetës i mundshëm gjatë një bisede telefonike midis kryeministrit izraelit Naftali Bennett dhe Presidentit rus Putin, u njoftua nga Kremlini dhe Izraeli. Zoti Bennett foli gjithashtu të premten me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, i cili është hebre.

Ndërsa Greqia po dërgon më shumë ndihma ushtarake, zyrtarët turq e quajtën pushtimin e Rusisë një “luftë”, një kategorizim bazuar mbi të cilin Ankaraja mund të mbyllë ngushticat turke për anijet luftarake ruse, gjë që Ukraina e kërkoi në fillim të kësaj jave. Konventa Montreux e vitit 1936 i jep Turqisë të drejtën për t’ua ndaluar “shteteve ndërluftuese” përdorimin e Dardaneleve dhe Bosforit gjatë kohës së luftës, por ofron një përjashtim për anijet e Detit të Zi që kthehen në port.

Image

Një protestuese ngre një pankartë gjatë një mitingu kundër sulmit rus ndaj Ukrainës, në sheshin qendror Sintagma, në Athinë, të dielën, 27 shkurt 2022. (AP Photo/Yorgos Karahalis)

Në frontin e sanksioneve, Japonia iu bashkua Shteteve të Bashkuara dhe vendeve evropiane në përjashtimin e bankave kryesore ruse nga sistemi bankar financiar ndërkombëtar SWIFT. Japonia do të ngrijë gjithashtu asetet e zotit Putin dhe zyrtarëve të tjerë të lartë rusë, ndërsa do të dërgojë 100 milionë dollarë ndihmë humanitare urgjente në Ukrainë, u tha gazetarëve kryeministri Fumio Kishida.

Udhëheqësit fetarë katolikë dhe ortodoksë, ndërkohë, u lutën të dielën për paqe, shprehën solidaritetin me ukrainasit dhe denoncuan sulmin rus.

Në Vatikan, flamujt ukrainas valëviteshin në sheshin e Shën Pjetrit, ndërsa Papa Françesku dha bekimin e tij javor të së dielës dhe bëri thirrje për solidaritet global për “popullin e vuajtur të Ukrainës”.

Image

Besimtarët shfaqin flamujt ukrainas gjatë lutjes së mesditës të Papa Françeskut në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, të dielën, 27 shkurt 2022. (AP Photo/Gregorio Borgia)

“Ata që bëjnë luftë e harrojnë njerëzimin”, tha Papa Françesku. Ai nuk përmendi Rusinë me emër, në shenjë të dukshme kujdesi për të mbajtur dialog të hapur me Kishën Ortodokse Ruse.

Gjithashtu të dielën, Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës e përshkroi pushtimin rus si “përtej çdo kuptimi të ligjit dhe moralit” dhe u lut për t’i dhënë fund luftës.

Patriarku Bartolomeu konsiderohet udhëheqësi shpirtëror dhe i pari ndër të barabartët e të krishterëve ortodoksë të lindjes në mbarë botën. Ai i dha pavarësinë Kishës Ortodokse të Ukrainës, që u shkëput në vitin 2019 nga kisha ruse, me të cilën ishte e lidhur që nga viti 1686. Në vazhdim, kisha ortodokse ruse ndërpreu marrëdhëniet me të./VOA

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Të shtëna me armë në Elbasan, i riu gjendet i mbuluar në gjak

Story i radhës

Pamjet/ Kaos në stadium pas derbit Crvena zvezda – Partizani, i vihet flaka stadiumit

Të fundit nga

Të hënën reshje intensive shiu në 5 qarqe

Fillimi i javës do të nisi me reshje intensive deri lokalisht shumë intensive në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër. Kështu njofton Instituti i Gjeoshkencës në buletinin e tij. Ndërkohë që reshjet intensive do
ShkoLartë