Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell, ka njoftuar në Pragë se nuk do t’u anulohet plotësisht mundësia e marrjes së vizave për hyrje në BE për qytetarët rusë, por se Brukseli do ta anulojë plotësisht marrëveshjen për lehtësimin e vizave për rusët.
“Mbërritjet masive të rusëve janë bërë një rrezik sigurie për disa anëtarë. Shohim që shumë rusë shkojnë për t’u argëtuar ose për të bërë pazar sikur nuk ka luftë në Ukrainë. Shtetet anëtare të BE-së deklaruan se nuk është e mundur të bësh biznes si zakonisht. Para së gjithash, ne po anulojmë plotësisht marrëveshjen për lehtësimin e vizave për qytetarët rusë”, tha Borrell në një konferencë pas takimit të diplomatëve të BE-së në Pragë.
Sipas vlerësimeve, rreth një milion qytetarë rusë kanë hyrë në BE që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Borrell tha se në një takim jozyrtar të martën dhe sot në Pragë, ministrat arritën gjithashtu një marrëveshje që anëtarët e BE-së – fqinjët e Rusisë – mund të miratojnë masat e tyre, të ndryshme në nivel kombëtar për të parandaluar ose zvogëluar lëshimin e vizave për turistët rusë.
Vendet baltike, Polonia dhe Finlanda kanë paralajmëruar në një deklaratë të përbashkët sot se nëse nuk arrihet një marrëveshje e përbashkët evropiane për të anuluar të drejtën e qytetarëve rusë për viza Shengen, ata do të miratojnë masat e tyre.
Nga nesër, 1 shtator, Finlanda synon të ulë numrin e vizave të lëshuara në 10 për qind të numrit aktual, ndërsa ministri i Jashtëm çek Jan Lipavski kujtoi se Republika Çeke anuloi vizat për qytetarët e Rusisë dhe Bjellorusisë më 25 shkurt.
“Ne gjithashtu ramë dakord që pasaportat ruse të lëshuara në territoret e okupuara të Ukrainës nuk do të njihen në BE”, shtoi Borrell.
Takimi i krerëve të diplomacisë së vendeve anëtare të BE-së në Pragë ishte informal, pa vendime të detyrueshme.