Mbledhja e Përgjithshme e Bashkimit Demokratik për Integrim e të gjitha niveleve strukturore – Këshillat Vendorë të çdo dege, anëtarët e kryesive të çdo Këshilli Vendor, duke vazhduar me Degët, Forumin Rinor dhe të gjithë përfaqësuesit e të gjitha organeve në nivel qëndror, në frymën e Deklaratës Themeluese të Bashkimit Demokratik për Integrim të 5 qershorit të vitit 2002, Marrëveshjes Paqësore të Ohrit dhe të udhëhequr nga vizioni dhe idealet e Rilindësve shqiptarë dhe të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, siç theksohet në njoftimin e BDI-së ka miratuar rezolutën e tretë mbi organizatën tonë politike.
“Konfirmon si të drejtë rrugën tonë të deritanishme politike në drejtim të përfaqësimit dinjitoz të shqiptarëve dhe të të gjithë qytetarëve, duke u konfirmuar përsëri nga sovrani si forca kryesore politike, kësaj radhe për herë të parë si forca e dytë politike, bashkë me aleatët, në mbarë Republikën e Maqedonisë së Veriut, me legjitimitet të plotë dhe me mbështetje absolute,
Rikonfirmon përgjegjësinë dhe privilegjin e Bashkimit Demokratik për Integrim që të përfaqësojë komunitetin e dytë më të madh në vend për çështjet me interes për qytetarët, duke filluar nga çështjet jetike strategjike e të paalternativë, siç është anëtarësimi i plotë i vendit në Bashkimin Europian dhe përmbushja e të gjitha detyrimeve dhe përgjegjësive si anëtar fuqiplotë dhe i barabartë i NATO-s, e deri në kultivimin dhe garantimin e vlerave thelbësore, siç janë: liria, demokracia, barazia, paqa, siguria, stabiliteti dhe drejtësia që përbëjnë bazamentin e një shoqërie demokratike progresive,
Vlerëson se Bashkimi Demokratik për Integrim është forca politike më e angazhuar në drejtim të ruajtjes së kursit euro-atlantik dhe europian të vendit, që kultivon vlera dhe qëndrime konzistente në interes të perspektivës më të mirë të të gjithë qytetarëve dhe vendit,
Nënvizon se Bashkimi Demokratik për Integrim nuk është produkt i përçarjeve, fraksioneve dhe derivat i organizimeve klanore, grupore e të interesave, por është thellësisht i mishëruar në sakrificën e popullit dhe rrjedhojë e lëvizjeve patriotike, kryengritëse dhe çlirimtare ndër dekada që u angazhua dhe siguroi lirinë, demokracinë dhe realizimin e interesave strategjike të vendit, duke e integruar shtetin aty edhe ku natyrshëm e ka vendin, krah për krah me demokracitë perëndimore, në NATO, si dhe me arritjen e hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian,
Thekson se vizioni ynë si subjekt politik është dhe mbetet barazia e plotë e të gjitha bashkësive etnike, respektivisht e të gjithë qytetarëve që jetojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke respektuar dinjitetin, integritetin dhe identitetin etnik, si dhe duke u angazhuar për arritjen e standardeve më të larta për sigurimin e një jete të denjë dhe cilësore, karakteristike për një pjesëtar të familjes europiane,
Konstaton se në ndryshimet e ardhshme statutore, si kategori statutare, krijohet organit i ri partiak – Mbledhja e Përgjithshme e Bashkimit Demokratik për Integrim, organ i cili do të konvokohet në situata dhe për tema të jashtëzakonshme,
Konsideron se në ndryshimet e ardhshme statutore, po ashtu, është e rekomandueshme të parashihet vijimi i modernizimit të organeve partiake, duke marrë në konsideratë: praktikat më të mira të organizimit politik perëndimor, specifikat, traditën dhe trashëgiminë tonë të pasur partiake, si dhe implementimin e teknologjive të reja (digjitalizimi i mëtejmë),
Rikonfirmon se zgjedhjet brendapartiake kontribuojnë në rritjen e cilësisë së strukturës dhe sjellinprurje të reja në organizatën tonë politike, me ç’rast mbetemi të fokusuar në rininë si prioritet i veprimtarisë vijuese të Bashkimit Demokratik për Integrim, duke i dhënë përparësi veçanërisht në aspekt të krijimit dhe implementimit të politikave të organizatës sonë politike,
Vlerëson se vazhdimi i kultivimit të debatit, ashtu siç ka qenë karakteristikë deri më sot, është i shëndetshëm për demokracinë brendapartiake dhe progresin e mëtejshëm, duke inkurajuar kultivimin e debatit edhe në nivele të tjera të strukturës partiake: në Degë dhe Këshilla Vendorë, në varësi të çështje me të cilat përballen,
Konstaton se të gjitha organet e të gjitha niveleve të subjektit tonë politik, veçanërisht Degët dhe Këshillat Vendorë, luajnë rol kruacial në organizimin brendapartiak dhe sigurimin e fitoreve zgjedhore, që kulmoi edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare kur për herë të parë Bashkimi Demokratik për Integrim doli forca e dytë politike në vend (bashkë me aleatët),
Rikonfirmon se Forumi Rinor përbën një shtyllë të fuqishme partiake dhe burim energjie për mbarë organizatën, me ç’rast, përpos hapsirës së nevojshme në krijim të politikave partiake dhe institucionale, si dhe mbështetjes së vazhdueshme, në ndryshimet e ardhshme statutore vlerësojmë që të parashihet modernizimi dhe digjitalizimi i proceseve brenda Forumit Rinor,
Riafirmon vazhdimin e praktikimit të parimit të llogaridhënies dhe raportimit të rregullt përpara qytetarëve, votuesve dhe organeve partiake për veprimtarinë, punën dhe rezultatet e arritura,
Thekson se ne, anëtarët e organizatës sonë politike, duhet të kultivojmë në vazhdimësi vlerat e aktivizmit partiak, profesionalizmit, solidaritetit dhe kolegjialitetit në veprimtarinë tonë partiake”, thuhet në rezolutën e tretë,
Legjitimitet, Rezolutë për domosdoshmërinë e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes për fqinjësi të mire, së bashku me ndryshimet kushtetuese ishin dy rezolutat e para që u miratuan nga kjo mbledhje.
Burimi: tv21