2
Shkup, 13 prill – Pas zjarrit tragjik në Koçan, ku humbën jetën 60 të rinj, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) thekson nevojën urgjente për llogaridhënie dhe respektimin e të gjitha standardeve për të parandaluar tragjedi të tilla në të ardhmen.
Fatkeqësisht, pas kësaj katastrofe, thonë integrativistët, qytetarët janë dëshmitarë të sjelljeve shqetësuese nga qeveria aktuale e VMRO-DPMNE-së e udhëhequr nga kryeministri Mickoski.
“Në vend që të ndërmarrë veprime të shpejta dhe vendimtare dhe t’i mbajë përgjegjës ata që janë vërtet fajtorë, qeveria është angazhuar në aktivitete për t’iu shmangur përgjegjësisë nga zyrtarët aktualë dhe është zhytur në krijimin e tensioneve të panevojshme etnike. Aktualisht, Mickoski po përpiqet të provokojë tensione ndëretnike me arrestime të pabaza të shqiptarëve, si një mjet për dështimin e qeverisë”. tha BDI.
Partia në një deklaratë shtoi se dënon me forcë arrestimet e fundit të personave që, sipas tyre, nuk kanë lidhje me tragjedinë, si një mjet për të larguar vëmendjen nga fajtorët e vërtetë.
Këto veprime, shtohet, pa prova të iniciuara nga institucionet e Mickoskit, shërbejnë për shënjestrim të veçantë të individëve për qëllime politike.
Është e qartë, thonë ata, se ndërsa individët po përdoren si koka turku, ata në pozitat e pushtetit, përfshirë ministrat dhe drejtuesit aktualë, mbeten të lirë, pavarësisht përgjegjësisë së tyre të plotë për këtë tragjedi.
Partia u bëri thirrje institucioneve që të bëjnë një hetim të plotë dhe transparent për tragjedinë e Koçanit, të bazuar në prova, duke garantuar kështu që përgjegjësit e vërtetë do të bartin pasojat, pavarësisht përkatësisë së tyre politike.
BURIMI: zhurnal.mk