Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar për zhvillimet e fundit politike dhe institucionale në Kosovë, duke kërkuar që përplasjet politike të mos vendosen mbi vlerat që lidhen me luftën e UÇK-së dhe shtetësinë e Kosovës.
Në reagimin e saj, BDI thekson se UÇK-ja përbën një nga vlerat më të rëndësishme të historisë moderne shqiptare dhe se kontributi i saj në lirinë dhe shtetësinë e Kosovës mbetet vendimtar.
Sipas BDI-së, UÇK-ja është një vlerë e përbashkët kombëtare që qëndron mbi partitë politike, dallimet dhe interesat e momentit.
“UÇK-ja është një prej vlerave që ka bashkuar shqiptarët në momentet më të rëndësishme të historisë së tyre të re dhe kontributi i saj duhet të trajtohet me përgjegjësi, dinjitet dhe respekt institucional”, thuhet në reagim.
BDI i ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të gjejnë një zgjidhje për situatën aktuale, duke respektuar dinjitetin e pjesëtarëve të UÇK-së dhe interesin e përgjithshëm të vendit.
Në fund, BDI thekson se interesat politike të ditës duhet t’i lënë vend interesit kombëtar, unitetit dhe përgjegjësisë shtetërore, duke ruajtur atë që UÇK-ja përfaqëson për shqiptarët dhe historinë e Kosovës.
Burimi: lajmpress.org


