Vazhdojnë akuzat e ndërsjella mes partive shqiptare për çështjen e “Balancuesit”. Nga BDI thonë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të nisur procedurën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dispozitave që lidhen me “përkatësinë e komunitetit” në kontekstin e punësimit në sektorin publik, apo respektivisht anulimin e “Balanserit”, është vetëm fillimi i rrënimit të marrëdhënieve ndëretnike të ndërtuara me shumë vështirësi.
“Çështja e anulimit të “Balanserit” do të hapë edhe shumë probleme të reja në periudhën në vijim të cilat mund dhe do të çojnë drejt rrënimit të themeleve bazë të Marrëveshjes së Ohrit. E këtë edhe sikur të qeverisnin vetëm, pa shqiptarët, VMRO, ZNAM dhe Stoillkoviçi nuk do ta kishin arritur. Është për keqardhje sepse rrënimi i MO-së po ndodhë duke qenë në Qeveri edhe koalicioni që humbi zgjedhjet në bllokun shqiptar VLEN, të cilët janë verbuar pas ca posteve të pakta qeveritare”, thonë nga BDI.
U kundërpërgjigjën nga koalicioni shqiptar në pushtet VLEN. Shkruajnë se “BDI nga frika po i bie kokës me gurin e vet”. Sipas reagimit të tyre me shkrim, nuk ka manipulim më të madh sesa kur klika e BDI-së e akuzon VLEN-in për vendimet e Gjykatës Kushtetuese, përbërja e së cilës është zgjedhur me propozim dhe pajtim të Ali Ahmetit.
“Fajtorët e drejtpërdrejtë për situatën aktuale me balancuesin janë Artan Grubi, Talat Xhaferi dhe Ali Ahmeti. Vendimi i kësaj përbërjeje të Gjykatës Kushtetuese bie mbi ndërgjegjen e kësaj udhëheqësie të kriminalizuar të BDI-së, e cila, në përpjekje për t’i shpëtuar ndjekjes penale për aferat korruptive të ish-funksionarëve, përpiqet dëshpërimisht të nxisë tensione ndëretnike duke u paraqitur rrejshëm si shpëtimtare e shqiptarëve”, thonë nga VLEN.
Nga BDI pyesin VLEN-in se “a është hapi i radhës konstatimi si “antikushtetues” deklarimi i përkatësisë etnike për kandidatët për deputet?”, pasi sipas vendimit të Kushtetueses “Deklarimi i përkatësisë etnike cenon lirinë e qytetarit”! Ndërkaq nga VLEN thonë se ata janë garancia se vendimi, siç e quajnë, i turpshëm i Gjykatës Kushtetuese nuk do të ndalojë punësimin e shqiptarëve në administratën publike, sepse ky është një status i garantuar kushtetues që buron nga Marrëveshja e Ohrit.
Burimi: tv21