Në vend që të ketë progres, ka ngecje dhe shkurtime mjetesh të projekteve në infrastrukturën rrugore, akuzoi deputetja e BDI-së Arbana Pasholli, teksa foli për rrugën Shkup-Bllacë, kontrollin e përbashkët të kufijve, hekurudhën. Sipas saj, Qeveria në 100 ditët e para ka zvarritur punët për realizimin e Korridorit 8. Në mes tjerash ajo foli edhe për rrugën Tetovë-Prizren, e cila tha se ka mbetur vetëm premtim parazgjedhor.
Ky reagim i integristëve vjen pasi ditë më parë zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti tha se shumë shpejtë do të miratohet vendimi për sistemin “One Stop Shop” në vendkalimet kufitare Bllacë, Qafë Thanë, Jazhincë dhe Tabanoc.
BDI kërkoi llogaridhënie të plotë nga qeveria për këto, siç i quajnë, ngecje të papranueshme në realizimin e këtyre projekteve strategjike. Megjithatë çdo herë që janë pyetur për këto çështje, qeveritarë që vijnë nga radhët e VLEN, kanë siguruar se projektet e mëdha infrastrukturore do të vazhdojnë të ndërtohen dhe përfundohen.
Burimi: tv21