“Baza franceze në Qipron Jugore dhe armatosja nga SHBA-ja, shkelje e marrëveshjes themeluese të Qipros”

Krijimi i një baze nga Franca në Administratën greke qipriote të Qipros Jugore dhe armatosja e jugut nga SHBA-ja janë të dyja shkelje të qarta të marrëveshjeve themeluese të Qipros, deklaroi sot presidenti i Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC), Ersin Tatar.

Duke folur për Anadolu, Ersin Tatar tha se Administrata greke qipriote shprehu angazhimin e saj ndaj tre marrëveshjeve të “Themelimit, aleancës dhe garancive” të nënshkruara nga Qiproja, Türkiye, Britania e Madhe dhe Greqia në vitin 1960 kur u krijua “Republika e Qipros”, për të siguruar legjitimitet ndërkombëtar.

Duke deklaruar se as Franca dhe as ndonjë shtet tjetër nuk mund të krijojë bazë ose të dërgojë armë në ishull pa miratimin e Türkiye-s, Britanisë së Madhe dhe Greqisë, Tatar tha: “Ngritja e një baze nga Franca në Administratën greke qipriote dhe armatosja e saj nga SHBA-ja përbën shkelje të qarta të marrëveshjeve themeluese të Qipros”, duke shtuar:

“Administrata qipriote greke ende pretendon se ata janë ‘Republika e Qipros’ dhe argumenton se marrëveshjet e tyre themeluese janë të vlefshme. Kështu, në bazën legjitime të kësaj marrëveshjeje, është e pamundur që Franca të vijë në jug dhe të krijojë një bazë. Nga pikëpamja ligjore, Franca nuk duhet të vijë dhe të krijojë bazë detare në Administratën greke qipriote”.

Tatar tha se marrëveshjet e mbrojtjes dhe armëve që SHBA-ja dhe Franca nënshkruan veçmas me administratën greke qipriote dhe pranimi i grekëve qipriotë në BE në vitin 2004 shkelnin të gjitha marrëveshjet themeluese të vitit 1960.

Duke thënë se është e paligjshme që dy vendet të krijojnë bazë detare në Larnaka pa miratimin e Türkiye-s dhe popullit turk qipriot, Tatar theksoi se beson se Administrata greke qipriote dhe Franca do të veprojnë më me kujdes për këtë çështje.

“Shkelja e marrëveshjeve të themelimit, aleancës dhe garancisë së Qipros vë në pikëpyetje bazat sovrane britanike në ishull”, tha Tatar duke iu referuar bazave që datojnë që nga viti 1960.

– Çështja e Qipros

Ishulli ka qenë në një mosmarrëveshje prej dekadash midis grekëve qipriotë dhe turqve qipriotë, pavarësisht nga një sërë përpjekjesh diplomatike për të arritur zgjidhje gjithëpërfshirëse.

Sulmet etnike që filluan në fillim të viteve 1960 i detyruan qipriotët turq të tërhiqen në enklava për sigurinë e tyre.

Në vitin 1974, një grusht shteti qipriot grek që synonte aneksimin e ishullit nga Greqia çoi në ndërhyrjen ushtarake të Türkiye-s si një fuqi garantuese për të mbrojtur turqit qipriotë nga persekutimi dhe dhuna. TRNC-ja u themelua në vitin 1983.

Vitet e fundit ka pasur një proces paqësor me ndërprerje, përfshirë një iniciativë të dështuar të vitit 2017 në Zvicër nën kujdesin e vendeve garantuese Türkiye-s, Greqisë dhe Britanisë.

Administrata greke qipriote u pranua në BE në 2004, në të njëjtin vit kur grekët qipriotë penguan një plan të OKB-së për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes së gjatë.





Story i mëparshëm

Stoltenberg: Do të rishikojmë planet për mbrojtjen evropiane

Story i radhës

Skandal në bashkinë e Kukësit, kryebashkiaku filmohet duke kryer marrëdhënie seksuale në zyrë

Të fundit nga