Bayern Munichi duket se e ka identifikuar në La Liga zëvendësuesin e Robert Lewandowskit.
Sulmuesi polak kaloi te Barcelona në fillim të këtij muaji, duke nënshkruar kontratë 4-vjeçare.
Bayern u përforcua me Sadio Manen në sulm, por senegalezi nënshkroi me klubin gjerman para se të largohej Lewandowski.
Dhe, tani kampionët e Gjermanisë kanë filluar misionin për të plotësuar hapësirën e liruar nga 33-vjeçari.
Sipas “AS”, gjiganti nga Bundesliga mund të bëjë një lëvizje befasuese, por të guximshme, për sulmuesin e Espanyolit, Raul de Tomas.
Sulmuesi spanjoll zhvilloi një sezon mbresëlënës pasi shënoi 17 gola në La Liga në sezonin 2021/22, dhe ai tani thuhet se mund të joshet nga një sfidë e re në Ligën e Kampionëve, të cilën padyshim se ia ofron Bayerni.
Klauzola e tij aktuale e lirimit është 75 milionë euro, por kjo shumë nuk pritet që të paguhet nga “Bavarezët”.
Megjithatë, Bayerni mund të fillojë bisedimet me Espanyolin për transferimin e 27-vjeçarit dhe të tentojë transferimin e tij për një çmim më të vogël.
Të ardhurat nga shitja e Lewandowskit te Barcelona besohet se mund të përdoren për të blerë Raul de Tomasin.