Trajneri i Llapit Tahir Batatina është shprehur i bindur se po të kishin pasur lojtarët e Superligës së Kosovës besimin e trajnerëve të kombëtares, ata do të ishin vendimtar që Kosova të ishte pjesë e Kampionatit Evropian apo edhe Botëror.
Në ndeshjen ndaj Qipros ishin tetë lojtarë që kanë dal nga Superliga në formacionin startues të Kosovës, lajm ky që Batatina e ka vlerësuar jashtëzakonisht shumë.
Batatina: Po t’i besohej lojtarëve të Superligës mund të ishim kualifikuar në Evropian
“Mendoj që është dashur më herët të veprohet kështu dhe komplimente për selektorin që është tani për shkak se i ka besuar lojtarëve të Superligës, lojtarë që kanë dal nga liga jonë dhe shumë shpejtë janë inkuadruar te kombëtarja. Po të kishte ndodhur ndoshta më herët ishim kualifikuar në Evropian që patëm edhe në Botëror. Mendoj që neglizhenca dhe mos respektimi i Superligës së Kosovës ka ndikuar që ne të mos kualifikohemi në asnjë prej kampionateve botërore dhe evropiane”, ka deklaruar Batatina.
Më tutje, trajneri i Llapit ka thënë se është shumë i kënaqur me rezultatet e arritura nga “Dardanët” në ndeshjet e fundit, por ka kërkuar që të synohen edhe dy fitore në muajin nëntor.
Batatina: Kosova duhet t’i synojë edhe dy fitore në nëntor
“Besoj që kemi bërë paraqitje të mirë, dy ndeshje, dy fitore. Kemi mundësi edne që të përmirësohet kombëtarja jonë, shpresoj që të përmirësohet duke e ditur që trajneri tani e ka mundësinë t’i njoh për së afërmi lojtarët për cilësitë, kualitetin, çfarë duhet të ndryshojë. Normal që jemi shumë të kënaqur kur kombëtarja jonë ka arritur dy fitore dhe pse jo ta presim muajin nëntor dhe ta arrijmë objektivin dhe t’i marrim edhe dy fitore të radhës dhe të kualifikohemi më tutje duke e ditur që Kosova ka potencial, ka një skuadër shumë të fortë dhe mendoj se është gjynah nëse na ikën edhe ky kualifikim dhe të mos jemi aty ku e meritojmë sepse kemi lojtarë shumë cilësorë”, theksoi Batatina.
Rrugëtimin në Ligën e Kombeve, Kosova e mbyll me ndeshjet ndaj Rumanisë dhe Lituanisë që zhvillohen më 15 dhe 18 nëntor.
Burimi: botasot.info