Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se Policia e Kosovës ka realizuar një operacion të gjerë në veri të vendit, ku janë zhvilluar bastisje në gjashtë lokacione në Zubin-Potok.
Përmes një postimi në facebook, Sveçla bëri të ditur se gjatë këtij aksioni janë sekuestruar armë të llojeve të ndryshme, një granatë dore, pajisje radiolidhjeje, uniforma ushtarake si dhe 213 copë municion.
Sveçla theksoi se provat e siguruara dëshmojnë për përpjekje të vazhdueshme për veprimtari të kundërligjshme që mund të cenojnë sigurinë dhe stabilitetin në vend.
“Pas bastisjeve të zhvilluara në gjashtë lokacione në Zubin-Potok, Policia e Kosovës ka sekuestruar sot armatim të llojeve të ndryshme, radiolidhje, një granatë dore, uniforma ushtarake si dhe 213 copë municion. Provat e siguruara gjatë këtij operacioni dëshmojnë përpjekje të vazhdueshme për veprimtari të kundërligjshme me potencial për të cenuar sigurinë dhe stabilitetin në vend.
Institucionet shtetërore të sigurisë do të reagojnë me vendosmëri të plotë ndaj çdo individi apo grupi që përmes veprimeve kriminale paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e qytetarëve dhe vendit tonë. Rendi, ligji dhe siguria në Republikën e Kosovës mbeten prioritet institucional. Çdo veprim që rrezikon këto parime do të trajtohet me seriozitet maksimal dhe pa asnjë kompromis”, ka shkruar Sveçla.
Burimi: botasot.info


