Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka dalë me një reagim pas arrestimit të dy zyrtarëve të saj lidhur me aferën e rezervave shtetërore.
“Sot, në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë erdhën Njësia hetuese e Prokurorisë Speciale, me urdhër të prokurorit Valdet Gashi për kontroll në zyrët e dy zyrtarëve të lartë të MINT, të Drejtorit të Departamentit për rezervat shtetërore, z. Hafiz Gara dhe Drejtorit të Departamentit të integrimeve evropiane, z.Irfan Lipovica. Për më tej Prokuroria Speciale ka bërë njoftimet për rastin që po hetohet nga ta”, njofton Ministria.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë thotë se mirëpret çdo hetim për rastin e blerjes së rezervës shtetërore, duke shtuar se janë të bindur që furnizimet dhe rezerva shtetërore janë në përputhje ligjet, planin dhe asnjë dëm apo dëmtim nuk ka ndodhur me to.
MINT pretendon se për këtë çështje po synohet të keqinformohet.
“Për këtë çështje prej një kohë të gjatë e veçanërisht në muajt e fundit ka përpjekje të mëdha që të keqinformohet publiku në vendin tonë. Motivet dhe arsyet për këto veprime të nxitura dhe koordinuara nga palë të ndryshme të interesit duhet të jenë po ashtu pjesë e hetimit në këtë rast.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë pret që organet e hetimit të kenë në vëmendje që krahas punës hetimore, të mos cenojnë në asnjë rrethanë sigurinë shtetërore, për sa kohë që bëhet fjalë për rezervën shtetërore të Republikës sonë, e klasifikuar sipas Ligjit për Rezervën Shtetërore dhe Ligjit për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar”.
MINT pati edhe një kërkesë për mediat.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, i lut mediat që të përmbahen nga deklarime të pakonfirmuara nga ministria dhe siguron se procesi i furnizimit me mallra për Rezervën Shtetërore, me standarde dhe parametra të përcaktuara të cilësisë, është trajtuar dhe monitoruar sipas legjislacionit në fuqi”.
Ministria thotë se është “e përkushtuar të vazhdojë me rritjen e Rezervës Shtetërore edhe në këtë vit, sipas Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikёs sё Kosovёs pёr vitin 2023, me qëllim që të sigurojë qytetarët që në rrethana të jashtëzakonshme të kenë përkrahjen shtetërore në tejkalimin e situatave eventuale të krizës”.