“Bashkimi i qytetit të Ferizajt” i nënshtrohet auditimit publik

February 10, 2022
min lexim

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës në Komunën e Ferizajt me temën “Menaxhimi i projektit bashkimi i qytetit të Ferizajt”. Fokus kryesor i auditimit janë të gjitha fazat e projektit prej fillimit deri në përfundim të tij.

Sipas një komunikate të ZKA-së, objektiv i këtij auditimi është që të vlerësohet nëse Komuna e Ferizajt ishte efikase në planifikimin dhe menaxhimin e projektit “Bashkimi i qytetit”.

“Ky auditim synon të vlerësojë edhe nëse janë arritur objektivat e këtij projekti. Ky projekt është rezultat i bashkëpunimit në mes Komunës së Ferizajt dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës. Sipas Memorandumit të Mirëkuptimit kjo e fundit është përgjegjëse për aspektin financiar të projektit ndërsa Komuna e Ferizajt për procedurat e prokurimit, përfshirë edhe menaxhimin e kontratës. Komuna ka filluar zbatimin e projektit në vitin 2018, një pjesë e tij është inauguruar në vitin 2021 ndërsa është duke u punuar edhe në pjesët e fundit që projekti të përfundohet në tërësi.

Ndërtimi i projektit “Bashkimi i qytetit” ka për qëllim uljen e aksidenteve në trafik, rritjen ekonomike/të hyrave të Komunës përmes qirave dhe parkingjeve nëntokësore, uljen e fluksit të automjeteve dhe lehtësimin e qarkullimit për automjetet që janë në transit. Projekti i lidh dy pjesët e qytetit të ndara nga hekurudha dhe ka vlerën mbi 5.5 milionë euro. Aktivitetet e prokurimit në Komunën e Ferizajt, sikurse në çdo autoritet tjetër kontraktues, duhet të zhvillohen në pajtim me parimet e ekonomisë, efikasitetit dhe trajtimit të barabartë, parime të sanksionuara me ligjin e prokurimit publik që kanë për qëllim të sigurojnë se prokurimi për mallra/shërbime/punë e arrin qëllimin e përcaktuar të Autoritetit Kontraktues.

Duke pasur parasysh vlerën e lartë të projektit, rëndësinë që ka për qytetarët e Ferizajt si dhe duke qenë se është prej projekteve të rralla të kësaj natyre dhe të përmasave të tilla, është me interes për publikun që projektit t’i bëhet një vlerësim i përgjithshëm nga aspekti i efikasitetit dhe objektivave të synuara të projektit. Subjekt i këtij auditimi do të jetë Komuna e Ferizajt me njësitë vartëse siç janë: Departamenti i Prokurimit, Drejtoria e Urbanizmit dhe Mjedisit dhe Drejtoria e Infrastrukturës. Departamenti i Financave në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës përfshihet në fushëveprim sa i përket çështjes së pagesave të kryera në emër të projektit. Për të siguruar se zyrtarët e zgjedhur veprojnë në interesin më të mirë të qytetarëve që ata i përfaqësojnë, administrata publike duhet të jetë llogaridhënëse për administrimin dhe përdorimin e fondeve publike”, thuhet në komunikatë.

Në këtë aspekt, Zyra Kombëtare e Auditimit thotë se është e përkushtuar që përmes auditimit të projekteve kapitale të një rëndësie si financiare ashtu edhe sociale të forcojë llogaridhënien, transparencën dhe integritetin e administratës publike dhe aty ku është e mundshme të ofroj rekomandime që fondet publike të shfrytëzohen në mënyrë efektive dhe efikase.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Publikohen pamjet nga takimi i Ramës me banorët, qytetarja: Nuk duam më gënjeshtra

Story i radhës

MASH: Bursa për studime në Universitetet më të mira botërore

Të fundit nga

ShkoLartë