Bashkimi Evropian ka ngritur mundësinë e një gjobe ose bllokimi të Twitter pas paralajmërimeve se duhet të rrisë në mënyrë të ndjeshme përpjekjet për të respektuar legjislacionin e ri online.
Shefi i Twitter, Elon Musk, u njoftua se kishte një punë të madhe përpara për të respektuar Aktin e Shërbimeve Dixhitale të Bashkimit Evropian i cili kërkon prej kompanive të teknologjisë të adresojnë probleme si postime abuzive dhe dezinformim.
Komisioneri Evropian për tregun e brendshëm, Theirry Breton, i tha CEO-t të Twitter se duhet të shtojë përpjekjet për të kaluar “provimin”, duke lënë të kuptohet se platforma rrezikon të përfundojë në shkelje të aktit.
“Mirëpres qëndrimet e Elon Musk për ta përgatitur Twitter 2.0 për DSA-në,” tha Breton. “Jam i kënaqur të dëgjoj se ai e ka lexuar me kujdes dhe e konsideron si një qasje të pranueshme për ta implementuar pse jo edhe në mbarë botën. Por gjithashtu le të jemi të qartë se ka shumë punë për tu bërë, sepse Twitter tashmë duhet të implementojë politika të qarta përdoruesish, të forcojë moderimin e përmbajtjeve dhe të mbrojë lirinë e shprehjes.”
Ai shtoi se Twitter duhet të adresojë dezinformimin dhe të kufizojë reklamimin e shënjestruar, përfshirë ndalimin e praktikës së përdorimit të fëmijëve për qëllime reklamimi.
Financial Times raportoi se gjysma e stafit prej 7,500 të Twitter është larguar që kur Musk bleu biznesin për 44 miliardë dollarë në Tetor, ndërsa 1,200 të tjerë kishin dhënë dorëheqjen në Nëntor pasi Musk kishte kërkuar nga stafi të punojnë më shumë ose të largohen.
Largimet kanë shtuar frikën se politikat e moderimit të përmbajtjeve mund të mos jenë më aq të rrepta ndërsa lançimi i sistemit të verifikimit me pagesë ka bërë që shumë kompani të ndërpresin reklamimin në platformë.
Video thirrja mes Musk dhe Breton u përshkrua si konstruktive me një marrëveshje mes palëve e cila mund të përgatitë Twitter-in për DSA dhe një audit të pavarur të platformës në fillim të vitit të ardhshëm.
Përmes një postimi në blog ditën e Mërkure, Twitter tha se ekipet e sigurisë po punonin për ta mbajtur platformën të sigurte përballë abuzimit, gjuhës së urrejtjes dhe shkeljes së rregullave të saj.
Nga ana tjetër Sekretarja e Thesarit në SHBA Yenet Yellen, refuzoi të fliste për një hetim të Twitter nga Komiteti i Investimeve të Huaja në SHBA udhëhequr nga Thesari. Muajin e kaluar u raportuar se ky komitet mund të hetonte nivelin e investimit të huaj në blerjen e Twitter nga elon Musk ku përfshin mbështetjen financiare nga investitorë përfshirë Princin Arab Alwaleed bin Talal, Qatar Holding dhe Binance.
Duke folur për New York Times, Yellen kishte thënë se komiteti analizonte me kujdes blerjet dhe investimet e kompanive Amerikane nga blerës të huaj të cilët mund të përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare të vendit.
Ditën e Hënë Musk akuzoi Apple se e kishte kërcënuar me bllokimin e Twitter në App Store dhe tha se gjiganti i iPhone i kishte bërë presion për moderimin e përmbajtjeve.
Yellen tha se ishte veprimi i duhur për disa kompani teknologjike si Apple dhe Google të kërkojnë llogari për implementimin e disa standardeve.
“Mendoj se është gjë e mirë nëse Apple shikon përmbajtjen. Shumica e transmetuesve i nënshtrohen disa standardeve për atë se çfarë transmetojnë. Dhe Twitter nuk është shumë ndryshe nga të tjerët,” tha Yellen.
E pyetur nëse ishte gjë e mirë që platforma të tilla të mbikëqyrin përmbajtjet, Yellen tha se është një lloj kontrolli që është i nevojshëm. /PCWorld Albanian