KB Bashkimi nuk po ia del assesi të marrë fitore në Ligën Ballkanike, teksa sonte regjistroi humbjen e katërt nga po aq ndeshje të zhvilluara.
Skuadra e drejtuar nga Audrius Prokuraitis u mposht sonte nga Hapoel Beer Sheva.
Ndeshja që u zhvillua në palestrën sportive “13 Qershori” në Suharekë, përfundoi me rezultatin 60:81.
Egor Koulechov me 15 pikë ishte shënuesi më i mirë te izraelitët, kurse te prizrenasit u dallua Daniel Lekndreaj me 19 pikë.
Për skuadrën nga Izraeli ishte kjo fitorja e katërt radhazi, duke vazhduar kështu si e pamposhtur.
Hapoel Beer Sheva të enjten do të zhvillojë derbin kundër Pejës në “Karagaçi” për të përcaktuar kështu skuadrën lidere për këtë vit në Ligën Ballkanike. Pejanët gjithashtu kanë bilanc prej 4 fitoreve nga po aq ndeshje të zhvilluara.
Ndërkaq, Bashkimi, që renditet i fundit në tabelë, garat në këtë ligë do t’i vazhdojë nga janari i vitit të ardhshëm.