“Bashkëshortja ime shpëtoi nga COVID për dy vjet, vdiq nga vonesa e ambulancës në Britani”

Dy vjet duke mbrojtur me kujdes bashkëshorten e tij diabetike nga rreziqet e pandemisë e kanë lënë britanikun Matthew Simpson të ndihet i vetmuar dhe thellësisht i tronditur nga vdekja e bashkëshortes pasi priti 16 orë për një ambulancë, tha ai për Anadolu Agency (AA).

“Kam kaluar dy vjet duke u përpjekur ta mbroj atë nga COVID, e kam ndjekur deri në detajin e fundit. Gjithmonë mbaja me vete dezinfektuesin e duarve. Vazhdova të kontrolloja gruan time vetëm për ta mbajtur të sigurt, por ishte shërbimi i ambulancës që e vrau”, tha Simpson, teksa rrëfeu ngjarjet në ditën kur humbi gruan e tij 54-vjeçare, Teresa, e cila vdiq në Infermierinë Mbretërore Hull në nëntor pas sulmit në zemër dhe mungesës së oksigjenit në tru.

Simpson i telefoni linjës së urgjencës 999 në orën 15:00, por atij iu tha se qendra e thirrjeve të ambulancës do ta kontaktonte më vonë për shkak të mbingarkesës.

Ambulanca mbërriti në ora 07:45 të mëngjesit të ditës tjetër, pasi ai bëri një telefonatë tjetër ku ju tha se gruaja e tij dukej “e pajetë”.

“U detyrova të prisja 16 orë e 45 minuta dhe ata erdhën sepse u detyrova të telefonoja dhe t’u thosha se ajo kishte vdekur”, tha Simpson, duke thekuar se nëse shërbimi i urgjencës do të kishte mbërritur më shpejt, gruaja e tij mund të kishte shpëtuar.

“Humba gruan time”, tha ai, duke shtuar se ishte përpjekur ta mbante gruan e tij në vetëdije duke folur dhe u kujdesur për të dhe duke i dhënë ilaçe derisa të mbërrinte ambulanca.

“Jam shumë i mërzitur. Gruaja ime nuk duhet ta kishte humbur jetën në këtë mënyrë”, tha ai, duke shtuar: “Pjesa më e trishtueshme është se në shtator është 25 vjetori i martesës sonë. Unë po planifikoja diçka të veçantë. Tani, në vend që të planifikoj diçka të veçantë për përvjetorin tonë, po planifikoj funeralin e gruas sime”, shtoi ai.

Një hetim në shkallë të gjerë, i cili pritet të zgjasë 12 muaj, është nisur për vdekjen e 54-vjeçares Teresa Simpson pas hetimeve të zakonshme të kryera pas incidentit.

“Më është dashur të thërras për gruan time taksi speciale të prodhuar për personat me aftësi të kufizuara, të cilat shumë vështirë gjinden në mbrëmje, për to duhet një rezervim paraprak. Nga ana tjetër as që e dija se çfarë i ndodhi gruas time. Unë nuk jam mjek, thjesht e ndihmova. Unë isha aty, isha me të, po e ruaja. Nuk mund të bëja gjëra që do ta rrezikonin atë, si për shembull ta nxirrja jashtë në të ftohtë”, tha ai.

– Kriza në NHS

Simpson nuk fajësoi shoferët e ambulancës apo mjekët, por përkundrazi “personin në krye të Ambulancës së Yorkshire që mori këto vendime se cila urgjencë klasifikohet si urgjencë. Ata ishin që vranë gruan time”.

“Mendoj se kriza në NHS (Shërbimi Kombëtar i Shëndetit) është shumë serioze për momentin dhe jam shumë i zemëruar me shërbimin e ambulancës sepse nuk më ndodhi vetëm mua. Dëgjoni rrëfime rreth ambulancave që vonohen me 4, 6, 12,18, 20 orë çdo ditë”, tha ai, duke shtuar se edhe pasi të mbërrinte ambulanca, nuk ishte e garantuar që pacienti të merrte menjëherë kujdesin mjekësor.

“Mund të prisni 10 orë jashtë. Kam dëgjuar rrëfime të njerëzve që presin në ambulanca. Një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë në kohët moderne”, shtoi ai.

Rasti i Teresa Simpson u raportua fillimisht nga gazetari i Sky News, Greg Milam, pasi një zyrtar i lartë shëndetësor britanik njoftoi se rreth 500 njerëz humbën jetën për shkak të vonesave të shërbimit të urgjencës.

NHS aktualisht është në mes të largimeve më të mëdha nga puna në historinë e saj pasi infermierët në dhjetor hynë në grevë lidhur me mosmarrëveshjen e pagave me qeverinë.

Sipas një studimi të kryer nga London School of Economics, paga reale e infermierëve ka mbetur prapa punonjësve të profesioneve të tjera në Britaninë e Madhe, veçanërisht atyre të sektorit privat.

“Në sektorin privat, të ardhurat mesatare reale ranë me 3,2 për qind midis 2011 dhe 2021, ndërsa të ardhurat mesatare të infermierëve u zvogëluan me 6 për qind”, thuhet në studim.

Teksa pagat e infermierëve ranë ndjeshëm në 2010-2011 dhe në 2021-2022, shkalla vjetore e largimit të infermierëve u rrit nga 8,5 në 10,9 për qind, tregoi hulumtimi. Numri i përgjithshëm i infermiereve që largohen u rrit nga 27 mijë në mbi 38 mijë gjatë kësaj periudhe, duke shënuar një rritje prej 42 për qind.





Story i mëparshëm

Kina do të zhvillojë stërvitje ushtarake në Detin e Kinës Jugore

Story i radhës

​Pezullohet greva e minatorëve, kërkojnë pagesa për shujta dhe rritje të pagave

Të fundit nga