SPAK bëri me dije ditën e djeshme sekuestrimin e pasurisë me vlerë 13 milionë euro në dy zona të Lezhës.
Bëhet fjalë për dy lloje pasurish, njërën tokë dhe tjetrën mal. Por SPAK në njoftimin e tij nuk tregon se kush kanë qenë përfituesit e kësaj pasurie, por thekson se personat janë të akuzuar ndër të tjera për grup kriminal dhe për trafikim narkotikësh, çështje e regjistruar 3 vite më parë. Por ajo që bie në sy në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme është fakti që ata bëjnë me dije se përvetësimi i kësaj pasurie ka ndodhur në bashkëpunim me zyrtarë shtetërorë, por nuk bëhet me dije se kush janë këta zyrtarë.
Në njoftim theksohet se: “Gjatë hetimit të këtij procedimi penal, ka rezultuar se disa shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe në bashkëpunim me zyrtarë shtetërorë, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara dhe veprimeve të tjera të kundërligjshme, kanë përfituar në mënyrë të paligjshme një sipërfaqe prej 66 000 m2 tokë në disa zona bregdetare në Lezhë, me një vlerë prej rreth 13 milionë euro”!
TË DHËNAT E VENDIMIT
Janë plot 66 mijë metra katrorë tokë dhe mal, me vlerë rreth 13 milionë euro që u sekuestruan nga Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK. Prokuroria nuk bën të ditur emrat e pronarëve, por tha se pasuritë u sekuestruan pas hetimeve për trafik droge në formën e grupit kriminal të nisura në dhjetor 2019. Disa sipërfaqe toke prej rreth 66 mijë metrash katrorë janë sekuestruar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme në zonën e Lezhës, pasi dyshohet se është përfituar me të ardhura nga aktiviteti kriminal. Të dhënat u bënë me dije nga zyra e shtypit, e cila tha se GJKKO e pranoi kërkesën e SPAK për sekuestro preventive për dy sipërfaqe toke në Ishull-Lezhë, me sipërfaqe totale rreth 9200 metrash katrorë.
Po kështu, SPAK bën me dije se ka sekuestruar edhe dy sipërfaqe të tjera toke në zonën e Malit të Rencit, përkatësisht 30 mijë dhe 27 mijë metra katrorë, gjithsej 57 mijë metra. Vendimi i sekuestros ka ardhur pasi Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më 20 dhjetor 2019, ka regjistruar procedimin penal për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Sipas prokurorisë, gjatë hetimit të këtij procedimi penal, ka rezultuar se disa shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe në bashkëpunim me zyrtarë shtetërorë, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara dhe veprimeve të tjera të kundërligjshme, kanë përfituar në mënyrë të paligjshme një sipërfaqe prej 66 000 m2 tokë në disa zona bregdetare në Lezhë, me një vlerë prej rreth 13 milionë euro. Grupi i hetimit bëri me dije se këto prona kanë rezultuar se janë produkt i veprave penale dhe, për rrjedhojë, është kërkuar sekuestrimi i tyre.