Derisa Lëvizja Vetëvendosje është në pritje të shqyrtimit të ankesës nga Gjykata Supreme për Listen Serbe, lidhur me mospjesëmarrjen e saj në zgjedhje, Komisioni Qendror Zgjedhor e bëri një hap tjetër në favor të kësaj liste. KQZ-ja në ditën kur u nda shorti për numrat me të cilat partitë politike do të prezanohen në zgjedhje, ndau numrin edhe për këtë parti.
Mirëpo, a do të jetë Lista Serbe pjesë e këtyre zgjedhjeve, me gjithë përpjekjen e partisë në pushtet për të mos marrë pjesë, mbetet të shihet.
Lidhur me atë se a duhet kjo parti të jetë pjesë e zgjedhjeve të 9 shkurtit, veprimtari Saim Tahiraj ka numëruar të bëmat e saj karshi Kosovës, duke thënë se kjo parti ka mbushur të gjitha kriteret për tu shpallur organizatë terroriste.
“Fillimisht dua të sqaroj se institucionet e drejtësisë janë institucione të pavaruna dhe marrin vendime në bazë të ligjeve egzistuese të RK-ës. Pa paragjykuar vendimin që do marrin institucionet e drejtësisë mund të jap mendimin tim. Duke analizuar veprimet destruktive, që nga themelimi i Listës Serbe e gjerë më sot e që mundë t’i cekim disa nga to. Ndikimi absolut i pushtetit në Beograd dhe zbatimi i përpiktë i urdhërave të tyre nga Lista Serbe. Emërtimi jo kushtetues i Kosovës dhe përdorimi permanent në dokumente partiake dhe paraqitje publike nga ta, si Kosovë dhe Metohi, madje edhe në Kuvendin e Kosovës. Bojkotimi i seancave të Kuvendit të Kosovës, paraqiten vetëm kur ju rrezikohen pagat. Veprimet destruktive, deri te ato kriminale që kanë për qëllim minimin dhe mosfunksionimin e institucioneve të RK-ës. Pjesëmarrja direkte e funksionarëve të lartë partiak në akte kriminale e deri te ato terroriste, që për qëllim kishin ndarjen e Kosovës. Vrasja e policëve të RK-ës, sulmi dhe lëndimi mbi policin e EULEX-it dhe ushtarëve të KFOR-it. Këto fakte dhe shumë të tjera, janë dëshmi të mjaftueshme që kjo parti e quajtur Lista Serbe ka përmbushur të gjitha kriteret të shpallet organizatë terroriste e le më të i jepet e drejta të konkuroj në zgjedhjet e 09 Shkurtit”, vlerëson Tahiraj për ‘Bota sot’.
Bashkëluftëtari i Sali Ҫekaj, Saim Tahiraj lidhur me këtë parti thotë se, një pjesë të përgjegjësisë e ka edhe Bashkësia Ndërkombëtare për tolerancën e pakufishme që po e tregon me Serbinë kriminale dhe marionetën e saj kriminale Listën Serbe.
“Cili është interesi kaq i madh i Bashkimit Evropian që po e trajton si e Përkëdhelura e Evropës dhe me këtë tolerancë të pakufishme? Ku i ka rrënjët gjithë ky mllefë i Bashkimit Evropian ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës? A kjo është demokracia Evropiane që krenohet? Sanksionohet viktima-Kosova dhe shpërblehët gjelati-Serbia. Uroj që kjo Listë famkeqe të jetë jasht kufive të Kosovës, të shkoj atje ku e ka vendin e vet”, vlerëson ai.
Burimi: botasot.info