Krahas shpalljes nongrata të tre diplomatëve rus, Maqedonia e Veriut ka vendosur ndalesë edhe për një arkimandrit rus, i cili është shef i zonës kishtare në Sofje, Vasijan Zmeev. Mediat në RMV tanimë i publikojnë këto informata për të cilat thonë se janë nga burime të Ministrisë së Punëve të Jashtme, shkruan REL në gjuhën maqedonase.
Zmeev, siç shkruan “Religija.mk” është përfaqësues kishtar i Patrikanës së Moskës, i cili vitin e kaluar ka pasur vizita intensive në vend dhe takime të shpeshtuara me përfaqësues të lartë të Kishës Ortodokse të Maqedonisë – Kryepeshkopata e Ohrit (KOM-KO).
Ai ka pasur rol në koordinimin e politikave kishtare ruse në Ballkan, me ndikim të veçantë në Bullgari dhe Maqedoni të Veriut.
Kryetari i Demokratëve për Bullgari të Fuqishme (DBF) në një deklaratë për BNT, e ka kritikuar punën e shërbimeve të sigurisë bullgare, pasi shërbimet inteligjente tjera e kanë mësuar informatën.
“A nuk i vjen turp shërbimit inteligjent që Maqedonia e vogël me shërbimet e saja ka mësuar se prifti rus i cili jeton në Sofje dhe shërben në kishë ruse merret me inteligjencë në Maqedoni dhe e kanë përjashtuar prej atje, ndërkaq ai jeton rehat në Bullgari”, deklaroi për BNT, gjenerali Atanas Atanasov.
Paraprakisht, edhe presidenti Stevo Pendarovski ka deklaruar se disa priftërinjtë të KOM-it kanë qenë në kontakte të afërta me shërbimet e sigurisë ruse.
Ndryshe, dje Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) njoftoi se më 12 shtator në MPJ është thirrur ambasadori i Federatës Ruse, të cilit i është dorëzuar nota diplomatike, me të cilën tre diplomatë të Ambasadës së Federatës Ruse në Shkup janë shpallur të padëshirueshëm në vend (persona non grata).
Ministria theksoi se vendimi këtillë është marrë pas informacioneve të marra nga autoritetet kompetente për aktivitete të ndërmarra e që janë në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.
Për këtë, dje reagoi Ambasada e Federatës Ruse në vend përmes një postimi në rrjetin social “X” (Twitter), në të cilin transmetoi një koment të zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Marija Zaharova.
Rusia e ka cilësuar si të papërgjegjshëm dhe akt armiqësor shpalljen e tre diplomatëve për persona të padëshiruar dhe paralajmëroi se nuk do të mbetet pa përgjigje.
Ndërkaq, komenti i Zaharovës është publikuar edhe në faqen zyrtare të internetit të MPJ-së ruse.
Përkrah informatave për shpalljen e tre diplomatëve ruse për “persona non grata”, në koment theksohet se, autoritetet e RMV-së “vazhdojnë të ecin në rrugën e përkeqësimit të konfrontimit dhe t’i zhvillojnë raportet bilaterale, të cilat edhe ashtu janë në krizë të thellë, në qorr sokak.