Mallorca e Vedat Muriqit i reziston më pak se 20 minuta Barcelonës.
Skuadra katalane e zhbllokoi rezultatin me të zakonshmin polaku Robert Lewandowski, që përmbylli në mënyrën e duhur një aksion nga e majta, pas kombinimit me Ansu Fatin.
E djathta e tij ishte e pakapshme për portierin Rajkoviq.
Për “bomberin” polak ky ishte goli i nëntë nga La Liga në shtatë ndeshje gjithsej.
Kjo sfidë e zhvillua në Mallorca mbeti e hapur deri në vërshëllimën e trefishtë të gjyqtarit, me Barcelonën që duhet pranuar ishte me fat që nuk pësoi gol.
Duhet kujtuar ai rast i Muriqit në kohën shtesë të pjesës së parë, me goditjen e dardanit që përfundoi jashtë, apo pak më herët goditja e Costas që u prit nga Ter Stegen.
Barcelona gjatë pjesës së dytë u mjaftua me administrimin e rezultatit, duke ruajtur forcat edhe për përballjen e Championsit, ndaj Interit.
“Blaugranat” me këtë sukses ngjiten në vendin e parë (19 pikë), me një pikë më shumë se Realit, që luan këtë të diel përballë Osasunës.