Një lëvizje e bujshme mund të ndodhë në afatin kalimtar të verës së vitit të ardhshëm.
“Mundo Deportivo” ka raportuar se Barcelona është duke monitoruar situatën e Marco Asensios.
Sipas mediumit spanjoll, Barça vlerëson nivelin e treguar ndër vite nga spanjolli, si dhe shkathtësitë e tij – përfshirë edhe moshën, që i përshtatet skuadrës së drejtuar nga Xavi.
Kontrata e Asensios me Real Madridin skadon më 30 qershor 2023. Pra, ai mund të largohet si lojtar i lirë nga “Santiago Bernabeu” pas përfundimit të këtij sezoni.
Barcelona thuhet se po shqyrton mundësinë për të nënshkruar me 26-vjeçarin, nëse ai nuk rinovon kontratën me “Los Blancos”.
Klubi katalunas gjithashtu mund të shfrytëzojë raportet e mira që ka me Jorge Mendesin, i cili është agjent i lojtarit.
Nëse kjo lëvizje realizohet, padyshim se do të ishte e bujshme duke marrë parasysh rivalitetin që kanë Barcelona dhe Real Madridi.