Europa League rikthehet këtë mesjavë me emocionet e raundit të 1/8-ave dhe të enjten do të zbresin në fushën e lojës “peshat e rënda” të këtij kompeticioni.
Skuadra favorite e këtij edicioni, Barcelona do të presë në “Camp Nou” skuadrën turke të Galatasaray-t, me ekipin e Xavi Hernandez që do të kërkojë maksimumin, për të vijuar me ecurinë e mirë, me 8 ndeshje radhazi pa humbje në të gjitha kompeticionet.
Në raundin e kaluar, katalanasit eliminuan Napolin, duke treguar se nuk janë thjesht vizitorë, ndërsa Galatasaray vjen si fituese e Grupit E dhe do të luajë për herë të parë në fazën me eliminim direkt.
Turqit po kalojnë një moment jo të mirë, pasi në javët e fundit kanë pësuar luhatje dhe është shumë larg objektivave në kampionatin turk. Galatasaray rikthehet pothuajse pas 20 vitesh në “Camp Nou”, pas sfidës së fundit të luajtur në tokën europiane ndaj Barcelonës, në Ligën e Kampioneve në 13 nëntorin e vitit 2002.
Sfidë interesante është edhe ajo midis Sevillas dhe West Hamit, me vendasit të cilët konsiderohen si ekpertët e këtij kompeticioni, përballë londinezëve, që në këtë sezon kanë ambicie për të shkuar deri në fund të rrugëtimit.