Tek shtëpia e vëllait të tij afrohet çdo ditë.
Por nga rruga e dëmtuar në fshatin Trudë, Nebih Shala e ka të pamundur të hyjë në oborr me veturë.
I shqetësuar për gjendjen e rrugës, ai kërkon zgjidhje nga institucionet shtetërore.
Ndërsa bllokimi i saj u bë për shkak të ndërtimit të autostradës Prishtinë-Podujevë.
“Ma s’pari ky është në diasporë, vjen brenda 4-5 dite nuk ka qasje kah me hi n’shpi, qe po e shihni edhe vet, dmth ju ka te ura, s’i ka as dy metra me këtë pjesën. Këtu veç eliminohet rruga krejt, këtu pak zgjerohet, kjo vetëm që na ka pengu neve por edhe me pastru Ibër Lepencin që është ky kolektori nuk kanë qasje. Unë nuk e di qysh kanë leju ata me u kry këto punime”, thotë ai.
E mungesa e qasjes direkte në rrugën kryesore po i shkakton vështirësi në biznes, Liridon Shalës.
Kjo pasi mjetet e ngarkuara me mobilie, tashmë nuk mund të lidhen në këtë pjesë.
“Kamionët me peshë që kanë ardhë gjithmonë këtu me materiale, këtu asnjë më nuk mundet me funksionu. Në qoftë se nuk hynë kamionët me peshë këtu, ne që jemi 15 anëtarë, plus 20 punëtorë që i kam me paga, dmth duhet me mshelë këtë biznes”, thotë Shala.
Kurse disa dhjetëra metra më tutje, ku fshati qaset në rrugën kryesore, në probleme hasin përveç vozitësve edhe këmbësorët.
“Nuk kanë kah dalin edhe me u kyqë, as me shku në shkollë, e kem shkollën n’Bardhosh, as me shku nPrishtinë edhe vet nuk mujmë me kalue kurrqysh nëse nuk na bojnë një zgjidhje me bo nënkalim ja mbikalim ja, s’kanë qysh dalin. Tana tana fëmija edhe punëtorët me shku n’punë këtu qiten mbrojtëset, kah dalin?”, thotë Selman Shala.
E banorët kanë kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës zgjidhje të këtij problemi.
Mirëpo nga mungesa e një përgjigjeje, të njëjtët kanë një lajmërim.
“Është krejt ndryshe projekti. Ka qenë ndryshe, është ndryshe. Na qata kërkojmë prej ministrisë, si unë si bashkëfshatarët që këtu të bëhet një nënkalim, një rreth ose diçka duhet me u bo një zgjidhje. Ma s’pari kyqje nuk kemi qysh duhet. Kyqje s’kemi, asgjë. Edhe e kisha lutë ministrinë gjithqysh le t’na kthen përgjigjen përndryshe do ta bllokojmë. Me bashkëfshatarët kemi me blloku këtë rrugë edhe ka me qenë e palëvizshme”, shprehet Xhafer Shala.
Lidhur me kërkesat e banorëve të këtij fshati, nga komuna e Prishtinës thonë se kjo çështje është në menaxhim të Ministrisë së Infrastrukturës.
Kurse nga kjo e fundit theksojnë se për banorët ka zgjidhje për qasje në rrugë.
“Banorët e Trudës kanë qasje në rrugën kryesore Prishtinë-Podujevë, ndërsa në drejtimin e kundërt Podujevë-Prishtinë, çështja është e rregulluar me projekt në atë mënyrë që banorët duhet të shkojnë deri tek rrethrrotullimi i Autoudhës “Ibrahim Rugova” (në largësi rreth 250m) dhe të kthehen për Prishtinë, shkaku se rruga është e ndarë me ishull dhe skajorë”, thuhet nga ministria.
Në fshatin Trudë janë rreth 150 shtëpi, ndërsa jetojnë mbi 1500 banorë.