Banorët e Scrantonit, vendlindjes së Joe Bidenit, pikëpyetje për rikandidimin e mundshëm të tij

March 27, 2023
min lexim

Në qytetin Scranton të Pensilvanisë, vendlindjes së Joe Bidenit, banorët kanë mendime të ndryshme nëse ai duhet të rikandidojë për një mandat tjetër presidencial. Disa prej tyre, thonë se kishin shpresuar që qyteti të ishte zhvilluar më shumë nën presidencën e tij, ndërsa të tjerë shprehen se Scrantoni ka njohur zhvillim dhe i mbijetoi pasojave të pandemisë së koronavirusit falë politikave të administratës Biden. Materiali në vijim sjell opinionet e disa prej banorëve dhe arsyet që ata thonë se do t’i nxisnin për të mbështetur zotin Biden, i cili pritet të njoftojë kandidimin president gjatë javëve të ardhshme.

Në vendlindjen e Joe Bidenit, në qytetin Scranton në shtetin e Pensilvanisë, nuk mund të mos vihen re simbolet që tregojnë dashamirësinë ndaj Presidentit të Shteteve të Bashkuara. Dy rrugë dhe një autrostradë mbajnë emrin e Joe Bidenit.

Letrat e Presidentit, dërguar individëve, përfaqësuesve të shoqërisë civile apo drejtuesve lokalë të qytetit, ku ai çmon “vlerat e banorëve të Scrantonit ”, të cilët janë të njerëzishëm dhe punojnë fort, disa prej tyre, i kanë vendosur me krenari në dhomat e pritjes apo në zyra.

“Kjo është një letër që Presidenti Biden na e dërgoi pas mbërmjes së madhe kushtuar anëtarëve të komunitetit afro-amerikan që shënuan arritje të mëdha, vitin e kaluar”, thotë Glyn Johns, themeluese e projektit “Black Scranton”

Dy banorë tregojnë se nënat e tyre u gëzuan pasi Presidenti i telefonoi në mënyrë të papritur, gjatë një prej vizitave të tij. Disa pronarë biznesesh thonë se i shpëtuan falimentimit falë programeve mbështetëse që miratoi administrata e zotit Biden.

Megjithatë, janë të paktë banorët që shprehen se jeta e tyre është përmirësuar nën udhëheqjen e demokratit.

Glyn John, një aktiviste 29 vjeçare, tregon se kishte shpresuar se drejtimi i Shtëpisë së Bardhë nga një politikan i lindur në Scranton do të ndihmonte në nxjerrjen në dritë të problemeve me të cilat përballen qytetet amerikane, që dikur vareshin nga industria e qymyrit apo prodhimi i çelikut. Thuajse një në pesë banorë të Scrantonit jeton në varfëri, thuajse dyfishi i mesatares në nivel kombëtar ndërsa në renditjen e shkollave në nivel kombëtar dhe shtetëror, shkollat e Scrantonit pozicionohen pothuajse në fund.

Deri tani, kjo e re ndihet zhgënjyer.

“Anëtarët e komunitetit afro-amerikan zgjodhën të jetojnë këtu. Këtu duan të jetojnë të lirë. Por gjithçka që kemi ditur mbi komunitetin afro-amerikan po shkatërrohet dhe nuk dua që kjo të ndodhë. Nëse do të na ndihmojë, le të na mbështesë me burime financiare. Le të më ndihmojë që të zgjeroj edhe më shumë këtë qendër, që njerëzit të vijnë dhe të shohin gjërat që ky komunitet mund të bëjë, që vetë zoti Biden ka deklaruar se besonte se ne mund të bënim. Nëse ai thotë se do të ndihmojë vendlindjen e tij, 100,000% që do ta votoj”, thotë ajo.

Vota e komunitetit afro-amerikan ishte e rëndësishme për fitoren në zgjedhje të zotit Biden, por përfaqësues të Partisë Demokratike druhen se zgjënjimi tek ky komunitet po rritet dhe se ata nuk kanë më besim se politika mund t’u japë zgjidhje problemeve të tyre.

“Mendoj se disa politikanë që kanë qenë pjesë e klasës politike duhet të largohen dhe t’i hapin rrugë brezit të ri. Ta ndihmojnë dhe ta mësojnë këtë brez se si të udhëheqë”, thotë Amber Viola, drejtuese emisioni.

Disa banorë të Scrantonit shprehen të shqetësuar mbi mundësinë që zoti Biden të rikandidojë për President. Aktualisht 80 vjeç, ai është presidenti më i vjetër në historinë e Shteteve të Bashkuara. Në rast se do të rikonfirmohej, ai do të ishte 86 vjeç në fund të mandatit të dytë.

“Shqetësohem për moshën dhe shëndetin e tij”, thotë Jenn Saunders, banore e qytetit të Scrantonit.

“Si zoti Trump që kërkon të rikandidojë dhe Presidenti Biden, janë të dy në të 80-at. Shumë të rinj duan që të kandidojë dikush më energjik”, thotë Amber Viola, drejtuese emisioni.

Joe Biden pritet të shpallë zyrtarisht kandidaturën gjatë javëve të ardhshme.

Sondazhet në nivel kombëtar tregojnë se demokratët do të preferonin një kandidat më të ri dhe mungesa e entuziazmit në Scranton mund të jetë një sinjal i hershëm paralajmërues për Partinë Demokratike.

Mbështetja popullore për zotin Biden vijon të mbetet mjaft e ulët. Sipas një sondazhi të kryer nga agjencia e lajmeve Reuters dhe kompania Ipsos mbështetja ndaj tij ishte 42%, muajin e kaluar, më e larta në muajt e fundit.

Shumë banorë të Scrantonit thonë se mund ta mbështesin sërish zotin Biden në vitin 2024, megjithëse pa shumë entuziazëm. Ata u shprehën të zhgënjyer për rënien ekonomike me të cilën përballet qyteti prej një kohe të gjatë si dhe mungesën e dukshme të mundësive në 2024.

Pjesëmarrja e ulët në votime, krahasuar me shumë demokraci të tjera, bën që entuziazmi të luajë një rol vendimtar në garat që mbahen në Shtetet e Bashkuara.

Në 4 zgjedhjet e fundit presidenciale, morën pjesë mesatarisht 57% e votuesve.

Ekipi i zotit Biden thonë se e mirëpret një përballje tjetër të mundshme të tij me zotin Trump, me argumentin se kjo do të nxisë bazën që nuk mbështet ish-presidentin dhe është i zemëruar me të. Megjithatë, sondazhet tregojnë, se populli amerikan nuk mendon njësoj.

Ish kryebashkiaku i qytetit të Scrantonit, Jim Connors, thotë se është krenar për udhëheqjen që dëshmoi zoti Biden pas sulmit që Rusia ndërmori ndaj Ukrainës.

“Ai shkoi në Ukrainë për të ndihmuar. Ai është nga Scrantoni. Këtë bëjmë ne. Ky qytet njihet si qyteti i miqësisë. Në këtë mënyrë është rritur Joe. Nëse ai do të rikandidojë, atëherë le të ngrihet dikush, ta sfidojë”, Jim Connors, ish kryebashkiaku i qytetit të Scrantonit.

Paige Cognetti, kryetarja aktuale e Bashkisë së Scrantonit thotë se nën presidencën e zotit Biden, qyteti ka njohur zhvillim, edhe pse në disa raste, nuk vihet re. Ajo thotë se qyteti ka përfituar nga mbështetja prej miliona dollarësh që administrata e zotit Biden ofroi për përballimin e pasojave të pandemisë COVID, duke përfshirë pagesën për një flotë të re automjetesh elektrike.

Bashkia ka shfrytëzuar fondet federale për rritur pagat dhe për të mbështetur bizneset e vogla. Zoti Biden po mbështet gjithashtu një projekt për ndërtimin e një linje të re hekurudhore nga Scrantoni në qytetin e Nju Jorkut.

“Kur mendoj për Presidentin Biden, nuk e mendoj vetëm si presidentin që ka lindur në qytetin tonë,” tha zonja Cognetti. “E mendoj si Presidenin që ka nisur një epokë financimi për gjërat që realisht u duhen qyteteve si Scrantoni”, thotë Paige Cognetti, Kryetare e Bashkisë e Scrantonit./VOA

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Eskalon Drecun, thotë se serbët në Kosovë po terrorizohen: Andaj duhet Asociacioni

Story i radhës

Grubi priti në takim Xhaçkën: Integrimi në BE interes i shtetit dhe qytetarëve

Të fundit nga

ShkoLartë