Transporti publik në fshatrat e Gollakut të Prishtinës dhe Kamenicës, konkretisht në Gllogovicë dhe fshatin fqinj Krilevë do të lehtësohej sikur të organizohej një vendndalim i përbashkët për autobusë në mes dy fshatrave. Në këtë mënyrë do të shkurtohej rruga për 1.5 kilometra, të cilën rrugë duhet përshkuar banorët e këtyre anëve aktualisht.
Ramush Cakolli, banor i fshatit Krilevë, thotë se do ta falte edhe tokën e tij vetëm të realizohej stacioni i përbashkët për autobus. Kjo për faktin se banorët e këtij fshati të Kamenicës udhëtojnë 1.5 kilometër për të shkuar në stacionin e autobusit në fshatin fqinj Gllogovicë për të vazhduar rrugën për në Prishtinë.
“Zbresin, plaka, fëmijë…dimrit është vonë në ora tetë edhe këtu nuk është keq kudo që merret vendimi le të bashkohen për një lehtësi, për një bashkim, për një ardhmëri ma të sigurtë ma të saktë ma të respektueshme për gjeneratat që po na vijnë pas nesh”, tha Cakolli.
Dita – ditës po revitalizohet fshati, andaj lehtësimet në infrastrukturë do të ishin jetike për banorët.
“Nuk është edhe aq shumë e zorshme për me krye. Dy komunat me u bë bashkë edhe e lehtëson qarkullimin”, tha Vehbi Cakolli, banor i fshatit Krilevë.
Ramush Cakolli thotë se numri i qytetarëve të cilët po e shfrytëzojnë transportin publik po shtohet çdo ditë e më shumë.
Komuna e Prishtinës ka lëshuar një linjë të “Trafikut Urban” nga Prishtina deri në Gllogovicë, ndërsa komuna e Kamenicës ka njoftuar banorët e Krilevës se janë të gatshëm të arrijnë një marrëveshje, që autobusi që vjen deri në Gllogovicë, ta shfrytëzojë edhe territorin e Kamenicës, përkatësisht fshatin Krilevë.
Burimi: botasot.info