Përveç nevojës që rruga “Hajrullah Zymi” në Fushë Kosovë të rregullohet, banorët kanë edhe një kërkesë tjetër, të pastrohen mbeturinat në këtë rrugë. E Komuna premton se kjo hapësirë do të pastrohet shpejt.
Përveç nevojës për rregullimin e rrugës, banorët në këtë zonë ankohen edhe për numrin e madh të mbeturinave në rrugën “Hajrullah Zymi”. Për shkak të mbeturinave edhe numri i qenve endacakë është i madh.
“Është vështirë sepse për shkak të punimeve nuk po arrijmë as me i hedh mbeturinat”, tha një banor i kësaj lagjeje.
Ndërsa një tjetër thotë se “pak faji është i qytetarëve, pak i komunës, pak për shkak punimeve në këtë rrugë”.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Fushë Kosovë, Ardit Sekiraça, i tha RTK-së se hapësira në fjalë është një pikë grumbulluese e rregullt e mbeturinave, mirëpo sipas tij, për shkak të punimeve në rrugë, ekipet e Kompanisë “Pastrimi” në Fushë Kosovë, nuk po arrijnë që t’i largojnë ato. Por, ai premton se kjo hapësirë do të pastrohet shpejt dhe do të evitohet ky problem.