Davos, 17 Janar – Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, gjatë fjalës së tij në një panel të Forumit Botëror Ekonomik në Davos ka folur për rrezikun që Ballkanit Perëndimor i kanoset nga ana e Rusisë.
Ai ka përmendur rastin e Veriut të Kosovës dhe Republikës Srpska në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Sipas tij, Kremlini përmes propagandës e sidomos lajmeve të rreme përpiqet që të krijojë tensione në rajon.
“Një përshkrim i shkurtër. Kemi dy pika të nxehta ose të brishta kohë pas kohe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Është Republika Srpska brenda Bosnjë e Hercegovinës dhe Veriu i Republikës së Kosovës. Ajo që po bën regjimi i Putinit, shumë vite më përpara, jo vetëm që nga koha kur ka filluar lufta në Ukrainë, është tentimi për t’i provokuar njerëzit atje, në mënyrë që të cenojë integritetet e këtyre dy vendeve. Që të flasim realisht, gjatë vitit të fundit propaganda ruse, lajmet e rreme, propaganda politike, kërcënimet hibride dhe sulme të tilla nuk janë intensifikuar sepse regjimi i Putinit është krejtësisht i preokupuar për ta sulmuar Aleancën Perëndimore për shkak të luftës në Ukrainë. Por, aktorët lokalë që nuk janë shumë të lumtur me marrëveshjet e ashtuquajtura të paqes që janë arritur vitet ’90 janë duke e bërë këtë punë dhe kohë pas kohe provokojnë me retorikë nxitëse duke shkaktuar trazira në këto dy vende. Supozimi dhe gjykimi im është që nëse Rusia do ta shpërqendrojë vëmendjen e Perëndimit nga Ukraina (që është teatri kryesor i luftës dhe propagandës), atëherë Ballkani Perëndimor është cak më shumë se vendet e Baltikut. Pra duhet të kemi kujdes për këtë si aleancë perëndimore si aleancë e NATO-s dhe si anëtarë të BE-së apo vende kandidate për anëtarësim, sepse më duket se në pikat e ashtuquajtura të buta të arkitekturës së sigurisë paneuropiane tani, përveç Ukrainës natyrisht, Ballkani Perëndimor është më i rrezikuari nga Kremlini”.
I pyetur se kush është lojtari kyç në këtë situatë BE NATO apo SHBA, Pendarovski ka thënë shkurt: “Shtetet e Bashkuara”.
Burimi: zhurnal.mk