Shqipëria synon të përfundojë negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian deri në Krishtlindjet e vitit 2027 dhe të bëhet anëtare me të drejta të plota brenda vitit 2030.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë fjalës së tij në hapje të takimit të 22-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit (KPSA) BE–Shqipëri, theksoi se Shqipëria ka përfunduar hapjen e të gjithë grup-kapitujve të negociatave dhe tashmë ka hyrë në fazën e mbylljes së tyre.
“Procesi i anëtarësimit ka hyrë në një fazë të re. Shqipëria ka përfunduar hapjen e të gjithë grup-kapitujve dhe ka hyrë në fazën e mbylljes së kapitujve. Ambicia jonë është e qartë: të përfundojmë negociatat brenda Krishtlindjeve të vitit 2027, me synimin e anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në BE brenda vitit 2030”, deklaroi Balla.
Ai nënvizoi se realizimi i këtij objektivi kërkon ritëm të lartë pune, përgjegjësi institucionale, cilësi në reformat e ndërmarra dhe rezultate të matshme.
Sipas Ballës, në këtë fazë fokusi duhet të zhvendoset nga miratimi i ligjeve te zbatimi i tyre në praktikë.
“Ky është një angazhim që kërkon një ritëm të lartë pune, përgjegjësi institucionale, cilësi reformash dhe rezultate të matshme. Fokusi duhet të kalojë nga ligji i miratuar te ligji i zbatuar. Kjo fazë kërkon më shumë punë, përgjegjësi dhe rezultate të qëndrueshme”, u shpreh ai.
Burimi: botasot.info


