Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Fierit Taulant Balla i shoqëruar nga deputeti, Erion Braçe zhvilluan një takim me banorët e Njësisë Administrative Allkaj, ku prezantuan kandidaten e Partisë Socialiste për kryetare të Bashkisë së Lushnjes në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 Marsit.
Në fjalën e tij, Balla tha se kandidatët e Berishës, Metës dhe Bashës nuk i duhen Lushnjes.
“Vijmë këtu për të kërkuan një votëbesim për një vajzë, për një grua, nënë dhe një motër e cila është shembulli konkret i atyre që hyjnë në Partinë Socialiste dhe brenda Partisë Socialiste bëjnë karrierë. Nga Kryeministri Edi Rama kam mësuar që Eriselda ka qenë një prej kandidateve tona për kryetare komune këtu në Allkaj. Mendoj që Eriselda erdhi ne momentin e duhur për të kërkuar votëbesimin. Është e kotë të meremi me dy kandidatët e opozitës, pasi nuk i hyjnë në punë njeriu, sepse nuk kanë asnjë shans ti bëjnë punë Lushnjes. Kush do i bëjë punë Lushnjes Sali Berisha me Ilir Metën? Saliu është ‘non grata’ i Amerikës dhe Lul Basha është ‘non grata’ i Saliut, dhe çdo punë të dy e kanë bërë bashkë. Pas ndarjes së Lulit nga Saliu u duk sikur gjithë të zezat që kanë bërë bashkë Luli ja la Saliut. Ka ca të zeza që nuk harrohen Unë nuk mund të harroj dot 21 Janarin, ku Luli ishte ministër i Saliut. Nëse urdhërin e ka dhënë vërtetë Saliu, Luli le të bëhet burrë dhe të shkojë në SPAK dhe të dhotë që urddhërin e dha Saliu, por edhe moskallëzimi i krimit është po aq vepër e rëndë penale”, deklaroi Balla.
Në përfundim të fjalës së tij Balla tha se në Lushnje ka shumë punë për t’u bërë, sidomos në sektorin e bujqësisë.
“Ka vonesa të patolerueshme që lidhen me çmimet e plehrave kimike, imputeve bujqësore dhe cilësinë e tyre. Më në fund mendoj që mjaftuan pak javë që Eriselda është në krye të bashkisë që të shërohen disa probleme që duheshin kuruar me kohë në bashki. Pas 102 vjetësh nga Kongresi i Lushnjes kemi një vajzë në garë për kryetare bashkie në Lushnje dhe që është nga Allkaj”, theksoi Balla.